Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina, e cila të enjten publikoi një fotografi, të cilën fillimisht e prezantoi si dëshmi të akteve të përdhunimeve seksuale gjatë luftës në Kosovë, pranoi se kjo fotografi mund të jetë e falsifikuar.
Sipas saj, këtë fotografi, të cilën ajo e publikoi para mediave, e kishte marrë qysh në vitin 2003 nga një zyrtare e Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Prishtinë dhe e ruante si "dëshmi për krimet e kryera nga forcat e Serbisë në Kosovë".
“Nga viti 2003, këtë dokument e ruaj në mesin e shumë dokumenteve tjera dhe tani, pas kaq kohësh, të quhet ky dokument i falsifikuar, më vjen shumë keq. Edhe një herë ju kërkoj falje të gjithë atyre dhe qëndroj edhe për fajësinë time që nuk e kam verifikuar në momentin e fundit edhe një herë”, tha Brovina.
“Kurrë nuk kam menduar se dikush mund të më sjellë dokumente të paverifikuara”, shtoi ajo.
Këto komente, Brovina i bëri pas ofrimit të dëshmisë në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Brovina tha se është e gatshme të dëshmojë për të gjitha kërkesat e Prokurorisë.
“Andaj, nuk kam besuar se ky dokument nuk mund te jetë i saktë”, tha Brovina pas raportimeve se fotografia që ajo kishte ofruar si dëshmi, nuk ishte realizuar fare në Kosovë.
Fotografia e publikuar të enjten gjatë punimeve të Kuvendit të Kosovës si dëshmi e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, është pamje e cila duket se është marrë nga faqe interneti me përmbajtje pornografike.
Mediat vendore në Kosovë kanë publikuar pamjet e njëjta, duke u thirrur në faqet e internetit për të rritur.
Fotografia kishte pamje të rënda grafike dhe si e tillë nxiti reagime të shumta, përfshirë këtu edhe Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila përmes një komunikate për media njoftoi se ka ftuar Brovinën të ofrojë dëshmitë që ka dhe se do të hapë hetimet mbi fotografinë e publikuar.