Gjatë një pushimi nga punimet e seancës, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina, prezantoi para medieve një fotografi me pamje të rënda grafike të, siç u shpreh, dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, e të cilën Radio Evropa e Lirë nuk e publikon.
Publikimi i fotografisë nxiti reagime në Kuvend dhe jashtë tij.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, tha në foltoren e Kuvendit se kishte një kërkesë nga familjarët e viktimës që fotografia të hiqej.
“Kisha kërkuar që të hiqen fotografitë, familjarët janë të shqetësuar, janë tepër të shqetësuar me pamjet”, tha Bogujevci, e cila është e mbijetuar e njërës prej masakrave të luftës në Kosovë.
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ka reaguar në lidhje me këtë fotografi duke tërhequr vërejtjen se “publikimi i këtyre pamjeve në mënyrë të plotë - pa censurë, i ka rikthyer kujtimet e tmerrshme të luftës për shumë gra, burra e fëmijë që kanë përjetuar këtë tmerr, duke ritraumatizuar dhe duke i thelluar edhe më tej plagët dhe dhimbjet shpirtërore të tyre të përjetuara gjatë luftës”.
Edhe ish-presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, ka reaguar, duke thënë se "publikimi i asaj fotoje ri-traumatizon viktimën dhe të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe dekurajon të mbijetuarit që të dalin përpara me të vërtetën mbi krimin që është kryer mbi trupat e tyre".
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ndërkaq, ka njoftuar se “me të marrë lajmin që deputetja e PDK-së, Flora Brovina, ka paraqitur një fotografi që, sipas saj, dëshmon dhunimin e një gruaje 35- vjeçare nga ushtarët serbë gjatë luftës në Kosovë, do ta hapë hetimin, ndërsa do të ftohet deputetja Brovina për dhënien e informacionit lidhur me viktimën, për të cilën ajo pohon se është e gjallë, si dhe, dorëzimin e fotos dhe dëshmive që ajo pohon se i ka lidhur me këtë rast dhe raste të tjera”.
Prokuroria Speciale, njofton që vetëm pas publikimit të fotos nga deputetja Brovina e ka kuptuar për ekzistencën e kësaj dëshmie, pasi që deri me tani për një fotografi të tillë nuk kemi pasur informata, as nga deputetja Brovina e as nga dikush tjetër, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.