Ndërlidhjet

SHBA: Nuk ka viza amerikane për individët nga Kosova të përfshirë në krim dhe korrupsion


Ilustrim
Ilustrim

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka njoftuar se po ndërmarrë hapa për të mos iu lëshuar viza biznesi apo turizmi individëve nga Kosova që janë të përfshirë në raste të mëdha të krimit dhe korrupsionit.

“Qytetarët e Kosovës meritojnë një sistem drejtësie që mbanë individët përgjegjës për veprimet e tyre korruptuese. Lidhur me këtë, Ambasada e SHBA-ve është duke ndërmarrë hapa për të siguruar që individëve të cilët janë të përfshirë në rastet e mëdha të korrupsionit të mos ju lëshohen vizat për udhëtim në Shtetet e Bashkuara për biznes apo turizëm”, thuhet në komunikatën e ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Aty, përmendet edhe disa raste të korrupsionit dhe krimit, për të cilat, ambasada amerikane shpreh shqetësimin, se si askush deri më tani nuk është duke u mbajtur përgjegjës.

“Ne do të vazhdojmë të shprehim publikisht shqetësimin tonë se askush nuk është duke u mbajtur përgjegjës, përfshirë zyrtarë të Kosovës, për korrupsionin dhe krimin e organizuar që janë qartësisht prezente në rastet Pronto, viza italiane, ikja nga burgu i Dubravës, Toka, dhe Apex, si dhe në raste të tjera të ngjashme”, thuhet tutje në komunikatën e ambasadës amerikane në Prishtinë.

Ambasada sqaron se zyrtarët konsullorë shqyrtojnë faktet për çdo aplikim për vizë, duke përfshirë edhe informatat negative për aplikuesit.

“Sipas nevojës, ne vazhdimisht i peshojmë akuzat dhe dëshmitë për korrupsionin dhe krimin e organizuar gjatë vendimmarrjes për viza, në mënyrë që t’i kufizojmë ata që kontribuojnë në këto probleme nga marrja e vizave për udhëtim në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në komunikatë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG