Ndërlidhjet

Sëmundjet kardiovaskulare ndër më vrastaret


Kardiokirurgjia. Foto nga arkivi.
Kardiokirurgjia. Foto nga arkivi.

Sëmundjet kardiovaskulare, që prekin zemrën dhe enët e gjakut, konsiderohen ndër shkaktarët e parë të vdekjeve edhe pse Kosova nuk ka sistem të referimit shëndetësor dhe rrjedhimisht, vlerësohet se nuk ka edhe statistika të sakta.

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në Klinikën Kardiologjike dhe atë Kardiokirurgjike, ku edhe trajtohen pacientët që kanë probleme me zemër, është duke u punuar 24 orë në ditë.

Drejtori i Kardiokirurgjisë, Tefik Bekteshi thotë se brenda tre muajve të parë të vitit 2019, mjekët specialistë kanë vendosur 507 stenta (tuba që shërbejnë për shërimin e enëve të gjakut), dyfish më shumë se në vitin 2018 gjatë të cilit për periudhën e njëjtë kohore ishin vendosur 285 sosh.

“Ka një progres të numrit të trajtimit të rasteve këta tre muaj. Besoj që me këtë trend do t’i tejkalojmë numrat e vitit të kaluar nga aspekti i diagnostikës, domethënë angiografisë koronare, por edhe nga aspekti i stentimeve në infarktin akut të miokardit, çka është edhe synim i këtij institucioni”, thotë Bekteshi.

Sipas raportit tremujor të punës për vitin 2019, në QKUK janë kryer edhe 719 koronarografi, derisa vitin e shkuar kanë qenë 543 sosh.

Edhe operacionet e zemrës në Qendrën Klinike Universitare, përkatësisht në Klinikën Kardiokirurgjike, janë duke u kryer. Ndonëse kjo Klinikë shumë kohë ka pasur problem me funksionim, tashmë aty po punohet 24 orë dhe numri i operacioneve gjatë këtij viti ka arritur në 99 sosh.

Drilon Asllani, zyrtar për informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se nga viti në vit numri i operacioneve që janë kryer në këtë Klinikë është rritur.

“Në Klinikën e Kardiokirurgjisë mjekët kanë kryer 212 operacione gjatë vitit 2018. Numri i intervenimeve është rritur ndjeshëm, pas vendimit për shërbim 24 orësh. Më 2017 kishte vetëm 128 raste të operimeve të këtij lloji. Në bazë të raportit të punës për katër muajt e parë të vitit 2019, në këtë Klinikë janë operuar 99 pacientë, përfshirë 5 fëmijë, te të cilët kanë intervenuar mjekë italianë, të asistuar nga kardiokirurgë vendorë, në kuadër të një projekti për trajnim dhe aftësim profesional të stafit mjekësor të QKUK-së në fushën e Kardiokirurgjisë Pediatrike”, tha Asllani.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se vitet e kaluara për rastet e Kardiologjisë, jashtë institucioneve publike shëndetësore janë trajtuar qindra pacientë dhe janë shpenzuar shuma të mëdha të hollash.

Albatrit Matoshi, këshilltar për media i Ministrit të Shëndetësisë, tha për Radion Evropa e Lirë se vetëm gjatë vitit 2018, duke hequr listën e pritjes për stentim dhe me shërbimin 24 orësh, janë realizuar numër rekord i stentimeve dhe koronarografive, duke u kursyer qytetarëve të Kosovës nga shpenzimi i mbi 10 milionë euro, nëse këto shërbime do t’i merrnin në institucione private shëndetësore, siç ka ndodhur më herët.

“Për shembull, në vitin 2015 për rastet e Kardiologjisë janë shpenzuar 2.4 milionë euro, në vitin 2015 rreth 2.5 milionë euro, ndërsa në vitin 2017 rreth 1.8 milion euro. Ndërkaq, pas lëshimit të shërbimit 24 orësh për trajtimin e zemrës dhe stentimin në QKUK, në shkurt të vitit 2018, numri i pacientëve që janë dërguar për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore ka rënë dukshëm. Gjatë gjithë vitit janë shpenzuar vetëm rreth 100 mijë euro”, tha Matoshi.

“Vetëm gjatë vitit 2018, duke hequr listën e pritjes për stentim dhe me shërbimin 24 orësh, janë realizuar numër rekord i stentimeve dhe koronarografive duke u kursyer qytetarëve të Kosovës mbi 10 milionë euro nëse këto shërbime do t’i merrnin në privat, sikur ka ndodhur më herët”, tha Matoshi.

Sipas tij, qëllimi i gjithë këtij projekti ka qenë që të rregullohen të këqijat e mëdha të sistemit shëndetësor, të cilat si pasojë sjellin edhe shpenzime të mëdha financiare për ekonomitë familjare.

Sidoqoftë, sfidë në vend vazhdon të mbetet trajtimi i fëmijëve që kanë probleme me zemër, sidomos atyre që kanë nevojë për operim, meqë operacionet e zemrës te fëmijët ende nuk po mund të kryhen brenda institucioneve publike shëndetësore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG