Ndërlidhjet

Palmer: Rusisë i konvenon një situatë e paqëndrueshme në Ballkan


Matthew Palmer
Matthew Palmer

Autore: Xhenana Halimoviq

Zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, tha se është koha që udhëheqësit në Ballkanin Perëndimor të kuptojnë rolin e tyre dhe t’i udhëheqin vendet e tyre drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

“Synimi i Shteteve të Bashkuara, i Bashkimit Evropian dhe i vendeve të rajonit është i njëjtë – përparimi. Por, ndikimit rus, në anën tjetër, më shumë i konvenon që në këto vende të ketë korrupsion dhe gjendje të paqëndrueshme”, tha Palmer në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Ai qëndroi në Sarajevë, ku takoi liderët e Bosnje dhe Hercegovinës dhe udhëheqës të tjerë të rajonit, që ishin mbledhur për një forum të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

“Bosnja dhe Hercegovina ka bërë shumë përparim, por duhet të bëjë edhe më shumë, para së gjithash, në sferën e qeverisjes së mirë, në luftën kundër korrupsionit në sektorin publik, në rritjen e transparencës dhe në përmirësimin e klimës për investime”, tha Palmer.

I pyetur nëse ekziston një politikë unike ndërmjet SHBA-së dhe BE-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Palmer u përgjigj pozitivisht.

“Para ardhjes sime në Sarajevë kam qenë në Bruksel dhe kam pasur rastin të takohem me disa përfaqësues të Bashkimit Evropian. Synimi ynë, kur është fjala për Ballkanin Perëndimor, mbetet i pandryshueshëm. Ne duam të ndihmojmë rajonin që të lëvizë më tej drejt integrimit perëndimor, që të realizojë me sukses reformat e nevojshme për integrimin euro-atlantik”, tha Palmer.

“Të gjitha këto reforma do t'i ndihmojnë vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen, para së gjithash, më të pasura dhe më të qëndrueshme dhe, rrjedhimisht, partnere më të mira si për Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe për vendet e tjera. Vizioni ynë, por edhe i BE-së është i njëjtë dhe shumë i thjeshtë: një rajon i begatshëm dhe paqësor, në paqe me veten dhe fqinjët, rajon që përbën një pjesë të mirë të Evropës”, tha Palmer për Radion Evropa e Lirë.

Si shembull të mirë për këtë, Palmer përmendi Marrëveshjen e Prespës, e cila i ka dhënë fund kontestit të emrit midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.

Sipas tij, kjo marrëveshje tregon se sa i rëndësishëm është lidershipi. Palmer tha se marrëveshja është arritur nga kryeministrat e dy vendeve dhe se bashkësia ndërkombëtare e ka mbështetur atë.

“Shpresoj se nga ky shembull do të nxjerrin mësime edhe udhëheqësit e Beogradit dhe të Prishtinës dhe të nisin rrugën e kompromisit dhe gjetjen e një zgjidhjeje të mirë”, theksoi Palmer.

Zyrtari i lartë amerikan tha se roli i SHBA-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor është i madh dhe i tillë do të vazhdojë të jetë.

Ai tha se Rusia, me siguri, dëshiron ta shohë rajonin të ndarë dhe me tensione.

Rusia do të vazhdojë me veprimet e saj si deri më tash dhe me ndikim negativ, tha Palmer.

Ai përmendi rastin e Malit të Zi në vitin 2016, ku dy shtetas rusë, së bashku me disa të tjerë, kanë bërë komplot për të rrëzuar Qeverinë malazeze.

“Ne duhet të përballemi së bashku me këtë ndikim të keq. Institucionet e korruptuara janë hyrja më e mirë, porta më e mirë për një ndikim kaq negativ”, deklaroi Palmer për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG