Tribunali i Kombeve të Bashkuara tha se po bën hetime se si ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, ka telefonuar në një ngjarje në Mal të Zi nga qelia e tij e burgut në Hagë.
Një zëdhënës i Tribunalit tha se thirrja e Karaxhiqit ishte e paautorizuar.
"Zyrtari komandues nuk i dha të burgosurit miratimin paraprak për të përdorur pajisjet e komunikimit. Ka arsye për të besuar se i burgosuri mund të ketë kryer vepër penale", tha Olufemi Elias.
Incidenti ndodhi dy muaj pasi një panel i gjykatësve e rriti dënimin e Karaxhiqit për gjenocid dhe krime të tjera në vitet 1990 në burgim të përjetshëm.
Elias tha se komandanti i njësisë së burgut është urdhëruar t'i monitorojë thirrjet jo të privilegjuara telefonike të Karaxhiqit.
Ngjarja e 3 majit në të cilën ka telefonuar Karaxhiq, është organizuar nga Këshilli Kombëtar Serb dhe Qendra Informative dhe Kulturore e Serbisë në Podgoricë.
Presidenti i Këshillit Kombëtar Serb, Momçillo Vuksanoviq, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk ka pasur asgjë të diskutueshme në thirrje.
"Ai donte t'i përshëndeste pjesëmarrësit e forumit dhe kjo u lejua. Nuk shoh asgjë të diskutueshme në këtë", tha ai.
Zyrtarët e Tribunalit urdhëruan rritje të monitorimit të Mlladiqit prejse ai foli për një stacion televiziv serb në nëntor.