Ndërlidhjet

Pacolli: Zyrtarët serbë që mohojnë krimet e luftës në Kosovë, do të shpallen persona non-grata


Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli.
Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli.

Ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli, përmes një njoftimi në Facebook, tha se ka marrë vendim që të shpallen persona non-grata, të gjithë zyrtarët serbë që bëjnë deklarata në mohim të krimeve të luftës në Kosovë.

Ky reagim vjen pas një interviste të ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë Ivica Daçiq për “Vesti Rusia”, ku kishte mohuar masakrën e Reçakut, duke thënë se “ngjarjet në Reçak ishin shkaku i drejtpërdrejtë i bombardimeve të NATO’s kundër forcave serbe në Kosovë”.

“I pështirë dhe absolutisht i papranueshëm mohimi i Masakrës së Recak nga ministri aktual i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili shërbeu si zëdhënës i partisë së Millosheviçit në vitet '90. Zëdhënësi i Millosheviçit vazhdimisht ofendon viktimat, familjaret e tyre dhe mohon vrasjet masive dhe gjenocidin në Kosovë nga regjimi që ai i shërbente i përkushtuar. Serbia kreu krimet më të këqija kundër civilëve shqiptarë, boshnjakë dhe kroatë në Evropë që nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore kundër hebrenjve”, thuhet në postim.

Zyrtarë serbë që veprojnë në Kosovë si dhe Beogradi zyrtar, kanë mohuar përmes deklaratave publike se janë kryer krime të luftës në Kosovë, si dhe intervenimi i NATO-s, sipas tyre, ishte agression kundër forcave serbe.

Një ish-ministër dhe një ish-zëvendës ministre e Qeverisë së Kosovës, nga komuniteti serb, u shkarkuan nga kryeministri Ramush Haradinaj, pasi thanë se shumë krime të kryera gjatë luftës në Kosovë nga forcat serbe në të vërtetë nuk kishin ndodhur kurrë.

Lexoni edhe këtë: Mohimi i krimeve gjatë luftës shihet si fyerje ndaj viktimave

Pas këtyre shkarkimeve, Ministria e Drejtësisë së Kosovës ka filluar me përgatitjet për hartimin e një ligji që të dënohet secili person që mohon krimet dhe masakrat që janë bërë gjatë luftës 1998-99.

Më shumë se 13 mijë e 500 llogaritet të jetë numri i personave të vrarë e të zhdukur gjatë konfliktit të viteve 1998-‘99 në Kosovë. Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur, kryesisht shqiptarë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG