Ndërlidhjet

Opozita “spektatore” në dialogun Kosovë – Serbi


Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje gjatë një tryeze për dialogun
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje gjatë një tryeze për dialogun

Përfaqësimi i Kosovës pa opozitën në fazën finale të dialogut me Serbinë, po demonstron për herë të parë një shembull që nuk ishte praktikuar në proceset e mëhershme të negociatave.

Që nga konferenca e Rambujesë (Rambouillet) më 1999, Kosova zakonisht është përfaqësuar në negociata nga spektri i gjerë politik, çka ishte përcjellë si praktikë edhe në proceset e mëvonshme të bisedimeve për statusin e Kosovës në procesin negociator të Vjenës, si rezultat i të cilit u shpall edhe pavarësia e koordinuar e Kosovës me vendet më të fuqishme perëndimore.

Ndërkaq, në procesin aktual të bisedimeve, sado që po cilësohen si vendimtare për arritjen e një marrëveshje historike në mes Kosovës dhe Serbisë, dy partitë më të mëdha opozitare janë jashtë dialogut.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, të cilat së bashku kanë 47 deputetë nga 120 sa ka gjithsej Kuvendi i Kosovës, nuk kanë pranuar të përfshihen në dialogun aktual, pasi që e kontestojnë legjitimitetin e Qeverisë aktuale të Kosovës, e cila sipas opozitës, e ka humbur shumicën në Kuvend.

Duke qenë jashtë procesit, LDK dhe Vetëvendosje kryesisht vetëm kanë komentuar, por nuk kanë qenë pjesë e zhvillimeve të fundit në kuadër të negociatave.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Abdullah Hoti, ndonëse pajtohet që spektri politik në Kosovë duhet të jetë unik në fazën finale të dialogut, kërkon që paraprakisht vendi të shkojë në zgjedhje, si parakusht për krijimin e këtij uniteti.

“Duke qenë se jemi në fazën finale të dialogut, unë besoj që Kosova duhet të jetë e përgatitur, duhet të jetë e unifikuar dhe duhet të ketë mbi të gjitha përfaqësim të fuqishëm politik që ka legjitimitet të plotë. Këto institucione dhe kjo qeveri, nuk kanë legjitimitet për gjëra më të thjeshta e lere më për procese që kërkojnë pajtueshmëri të gjerë politike dhe shoqërore për t’i çuar përpara. Përveç dallimeve pozitë – opozitë, ne gjatë kësaj periudhe kemi parë dallime edhe në mes partnerëve të koalicionit, në veçanti në mes të bartësve të institucioneve”, ka thënë Hoti.

Kryetarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Isa Mustafa e Albin Kurti, pas disa takimeve të zhvilluara patën dalë edhe me një deklaratë të përbashkët në lidhje me dialogun me Serbinë, ku të dy liderët opozitar ishin dakorduar për pikat kryesore.

Ata kanë vlerësuar se “negocimi i çfarëdo marrëveshje finale me Serbinë duhet bërë me një formulë parlamentare që garanton unitet të gjerë politik”, si dhe që “negocimi i çfarëdo çështjeje që është fundament kushtetues dhe element i shtetit të Kosovës, siç janë territori, institucionet kushtetuese, popullsia, resurset natyrore, është i papranueshëm dhe ato nuk mund të bëhen objekt i negocimit me Serbinë”.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca thotë se praktika e deritashme e dialogut ishte e dëmshme, kurse institucionet nuk kanë legjitimitetin e nevojshëm, andaj edhe dy subjektet opozitare kërkojnë fillimisht zgjedhje, e më pastaj veprime politike drejt arritjes së konsensusit.

“Disa gjëra ne duhet t’i qesim në kornizë dhe për këtë arsye, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë të angazhuara plotësisht që ta ri-legjitimojnë këtë proces edhe përmes zgjedhjeve të reja, edhe përmes konsensusit të brendshëm politik”, ka thënë Konjufca.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili një periudhë të gjatë kohore qëndroi larg bisedimeve, muajve të fundit është aktivizuar, sidomos pas lansimit të idesë për ndryshimin e kufirit të cilin ai e kundërshton, ka ftuar opozitën që t’i bashkohet spektrit politik në pushtet kur është në pyetje dialogu me Serbinë.

“Do të ishte mirë që të vijnë edhe opozita, LDK dhe Vetëvendosje, për shkak se po shkojmë kah një proces më final, besoj, dhe më serioz i zhvillimeve”, ka thënë Haradinaj.

Sidoqoftë, procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, i cili si qëllim është thënë se ka normalizimin e raporteve dhe arritjen e një marrëveshjeje paqësore mes dy vendeve, aktualisht është i bllokuar. Që nga nëntori i vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën doganore 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, Beogradi nuk ka pranuar më të ulet në tavolinën e bisedimeve.

Ndërkohë që vendet si Gjermania e Franca, po bëjnë përpjekje që të vënë në binarë këto bisedime. Më 1 korrik, në Paris, pritet që këto dy vende të bëjnë përpjekjen e radhës që t’i ulin në bisedime Prishtinën dhe Beogradin. Por, mbetet ende e paqartë se cili do të jetë roli i këtyre takimeve, marrë parasysh faktin që ky proces deri më tani është udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG