Ndërlidhjet

Veseli: Do të formohet një Tribunal për krimet e serbëve në Kosovë


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, thotë se së shpejti do të iniciohet formimi i një Tribunali, ku do të gjykohen krimet që ka kryer shteti i Serbisë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ai këto komente i bëri në shënimin e 20-vjetorit të masakrës në Studime të Vushtrrisë.

“Sot veç kam filluar takimet në Kuvend, me organet tona të drejtësisë, prokurorinë, gjyqësinë, me shoqatat e të pagjeturve e të viktimave të luftës, për të shkuar deri në fund, duke nxjerrë një vendim nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, që të ketë një Tribunal, i cili duhet të jetë ose i Kosovës, në rastin më të mirë, por nëse ka hezitime, atëherë do të jetë Tribunal ndërkombëtar, për krimet të cilat i ka kryer Serbia mbi popullatën shqiptare”, u shpreh Veseli.

Sipas kryeparlamentarit Veseli, në Kosovë gjatë luftës së fundit, janë kryer 186 masakra nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe.

Në Studime, më 2 maj të vitit 1999, forcat serbe vranë 117 persona.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë rreth 13,500 persona. Ndërkaq, të pagjetur ende konsiderohen mbi 1,600 persona.

Në vitin 2015, Kuvendi i Kosovës ka miratuar themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, të cilat njihen edhe si Gjykata Speciale. Aty po hetohen krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës, të cilat pretendohen se janë kryer nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 deri më 2000. Selia e saj gjendet në Hagë të Holandës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG