Kryetarja e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se Lista Serbe konsiderohet e certifikuar nga ana e KQZ-së, pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
PZAP-ja, përmes një vendimi, të enjten, urdhëroi KQZ-në ta certifikojë këtë subjekt politik për zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore që do të mbahen më 19 maj.
“Meqë ky vendim është i obligueshëm, ne nuk kemi nevojë fare të votojmë, por mund të konsiderojmë se Lista Serbe është e certifikuar sipas urdhrit të PZAP-së”, ka thënë Daka në mbledhjen e KQZ-së.
Mirëpo, vendimi i PZAP-së, përveç se urdhëron KQZ-në, i jep asaj afat 24 orë për ankesë në Gjykatën Supreme.
Anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, tha se duhet të pritet afati 24 orësh i përcaktuar nga PZAP-ja dhe më pas KQZ-ja mund ta konsiderojë të certifikuar Listën Serbe.
Mbledhja e KQZ-së u mbajt disa orë pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili urdhëroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që ta certifikojë subjektin politik Lista Serbe për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen në komunat veriore më 19 maj.
Por, PZAP-ja hodhi poshtë apelin e partisë Lista Serbe, e cila kërkoi njoftimin e Prokurorisë, pasi pretendonte se moscertifikimi i saj nga anëtarët e KQZ-së përbën vepër penale.
Më 14 prill, katër kandidatët e subjektit politik, Lista Serbe, nuk u certifikuan nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kjo për shkakun se dy anëtarët e këtij trupi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Nazlie Balaj dhe Adnan Rrustemi, abstenuan në votim, duke pamundësuar certifikimin.
Lista Serbe më pas ushtroi të drejtën e ankesës në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Shefi i zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, duke komentuar moscertifikimin, tha se Lëvizja Vetëvendosje po ushtron segregacion ndaj serbëve.
"Serbët janë formalisht të zhveshur nga statusi i qenieve të lira në Kosovën e vetëshpallur", ka thënë Gjuriq.
Por, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë thënë se do ta dërgojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
Në rast se lënda i drejtohet Kushtetueses, efektet besohet se mund të jenë edhe më të mëdha në procesin aktual të zgjedhjeve në katër komunat veriore. Por, sipas kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, punët në komision do të vazhdojnë sipas procedurave ligjore.
Kryetarët e komunave veriore: Zubin Potok, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviq, më 26 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë pakënaqësie ndaj vendosjes së taksës doganore prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës për mallrat nga Serbia.
Më pas, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, caktoi datën 19 maj për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore.