Ndërlidhjet

Vazhdon mungesa e barnave në institucione shëndetësore


Ilustrim
Ilustrim

Barnat dhe materiali shpenzues brenda institucioneve publike shëndetësore në vazhdimësi ka qenë problem sa i përket furnizimit.

Ndonëse për vite me radhë, Ministria e Shëndetësisë ka qenë përgjegjëse për furnizim me barna, tashmë këtë kompetencë e ka bartur te Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.

Mungesat janë evidente edhe pse ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, kishte deklaruar se lista esenciale me barna në vitin 2019, do të jetë më e përmbushur krahasuar me vitet paraprake.

Kjo për shkak se gjatë vitit 2018, sipas tij, janë blerë barna më të lira sesa vitet paraprake dhe është arritur që buxheti për barna të kursehet për rreth 6 milionë euro, nga ai total i ndarë për shëndetësi në Kosovë që është rreth 220 milionë euro, duke hyrë edhe buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë e që është 40 milionë euro dhe 60 milionë euro si grante nga Qeveria që shkojnë nëpër komuna.

Vetëm Qendra Klinike Universitare e Kosovës, si institucion terciar që ofron shërbime shëndetësore për tërë Kosovës, nga kjo shumë merr buxhet vjetor rreth 120 milionë euro.

Por, mungesa e barnave e sidomos e materialit shpenzues është evidente. Këtë e dëshmojnë edhe vetë pacientët, sipas të cilëve sa herë që kërkojnë shërbime shëndetësore duhet edhe të blejnë shumë gjëra të nevojshme për trajtim vetë.

Burim Kastrati, nëna e të cilit mjekohej në Qendrën Klinike, thotë në vazhdimësi ka blerë barna në mungesë tyre brenda spitalit.

"Unë së fundmi e kam pasur nënën e shtrirë në Qendrën Klinike Universitare. Në vazhdimësi kam blerë barna. Më pas edhe në shtëpi ka vazhduar trajtimin dhe normal edhe atje i kemi blerë vetë".

"Nëna vuan nga sëmundje kronike, dhe vazhdimisht mjekohet, dhe ajo çka unë mund të them është se edhe çmimet e barnave nëpër barnatore kohëve të fundit janë ngritur", tha Kastrati.

Ndërkaq, nga zyra për informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës përmes postës elektronike dërguar Radios Evropa e Lirë, thuhet se ky institucion në mungesë të theksuar barnash e materialit shpenzues ka bërë blerje emergjente, deri në nënshkrim të kontratave të reja.

"Zyra për informim njofton se pas bartjes së buxhetit për barna dhe material shpenzues nga Ministria e Shëndetësisë te SHSKUK, janë ndërmarrë të gjitha masat për furnizim me barna dhe material shpenzues, duke inicuar procedura rekorde të prokurimit për shumë artikuj. Janë procedurat e prokurimit, të bazuara në Ligjin për prokurim publik që institucioni është i obliguar t'u përmbahet".

"Me disa nga artikujt kryesor jemi furnizuar siç janë dorezat, shiringat dhe shumë tjera, përderisa po vazhdon furnizimi dita ditës për të mirē, andaj për shkak që përqindja po lëvizë pas furnizimit, nuk mund të japim përqindjen fikse të furnizimit", thuhet në përgjigjen e QKUK-së.

Ndërkaq, Ilir Kurtishi, drejtor i Institutit Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare, thotë se furnizimi me citostatikë në këtë qendër është i mirë,dhe pacientët nuk kanë nevojë t'i blejnë barnat tashmë, e që shërbejnë për trajtimin e sëmundjes së kancerit.

"Furnizimi prej javës së kaluar është i mirë. Jemi dukshëm më mirë se javët paraprake. Kemi pasur mungesa të disa ilaqeve, por që jemi furnizuar. Ky furnizim është bërë sipas planifikimit që është bërë vitin e kaluar", tha Kurtishi.

Ndërkaq, Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, tha se përgjegjës për furnizim me barna dhe material shpenzues për Qendrën Klinike Universitare si dhe spitalet regjionale është vetë Shërbimi Spitalor Klinik, së bashku me Fondin e Sigurimeve, derisa Ministria e Shëndetësisë ka marrë përsipër të furnizojë Qendrat e Mjekësisë Familjare në nivel të komunave prej muajit shkurt të vitit 2019.

"Gjatë muajit shkurt dhe mars të këtij viti, të gjitha kontratat e lidhura nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore për furnizim të institucioneve shëndetësore dytësore dhe tretësore janë bartur në SHSKUK. Kontratat e reja do të lidhen nga ky institucion në bazë të nevojave që ka me operatorët. Ndërkaq, kontratat e mëparshme deri në realizimin e tyre të plotë do të menaxhohen edhe nga SHSKUK-ja edhe nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore".

"Ndërkaq Ministria e Shëndetësisë do të jetë përgjegjëse në të ardhmen për furnizim me barna dhe material shpenzues vetëm për Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe njësit e tyre në nivel të Komunave, tha Hoti.

Sidoqoftë, edhe kur është bërë blerja e barnave për institucionet shëndetësore, ka qenë problem në vete. Kjo pasi që nga viti 2012, në Kosovë nuk është bërë revidimi i listës esenciale të barnave. Ndonëse në treg kanë ndryshuar llojet e ilaçeve për trajtimin e sëmundjeve, në institucionet publike shëndetësore furnizimi me barna ndër vite ka mbetur pothuajse i njëjtë.

Megjithatë, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se me komisionin e përbërë prej 43 anëtarësh, si dhe me ndihmën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tashmë kjo listë me barna të reja po shkon drejt finalizimit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG