Ndërlidhjet

KQZ fillon përgatitjet për zgjedhjet në komunat veriore të Kosovës


Mitrovicë
Mitrovicë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë bëri të ditur se do të fillojë përgatitjet e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat veriore të Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shpalli të hënën zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat e banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, të cilat do të mbahen më 19 maj.

KQZ-ja tha se afati i aplikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve do të fillojë më 9 prill dhe do të zgjasë deri më 18 prill, 2019, ndërsa certifikimi i tyre do të bëhet me datën 22 prill.

"Fushata zgjedhore, si dhe afatet për tubimet zgjedhore do të fillojnë me datën 13 maj dhe do të përfundojnë me datën 17 maj, 2019", thuhet mes tjerash në njoftimin e KQZ-së.

Katër kryetarët e këtyre komunave, më 27 nëntor të vitit 2018, kanë dhënë dorëheqje, duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100% ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia.

Në deklaratën e përbashkët, ish-kryetari i Zubin Potokut, Stevan Vuloviq, i Zveçanit, Vuçina Jankoviq, i Leposaviqit, Zoran Todiq, dhe i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, kanë thënë se me këtë taksë, "serbëve të Kosovës u është kërcënuar e drejta për jetesë, shërim dhe mbijetesë".

Me rastin e shpalljes së zgjedhjeve, agjencia serbe e lajmeve Tanjug, duke u thirrur në burimet e saj, tha se përfaqësuesit e serbëve të Kosovës do të takojnë të mërkurën përfaqësuesit e shtetit serb në Beograd.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG