Ndërlidhjet

Pendarovski: Më 21 prill votohet mes prosperitetit dhe izolimit


Stevo Pendarovski, kandidat për president i Maqedonisë së Veriut
Stevo Pendarovski, kandidat për president i Maqedonisë së Veriut

Marrëveshja e Prespës dhe integrimi i Maqedonisë së Veriut në NATO dhe Bashkimin Evropian, nuk kanë alternativë pasi çdo zgjidhje tjetër do të kthente vendin në izolim, pa perspektivë dhe në konfrontim si brenda shtetit ashtu edhe në skenën ndërkombëtare, para se gjithash me fqinjët.

Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, Stevo Pendarovski, kandidat për president i Maqedonisë së Veriut, i propozuar nga Social-demokratët e kryeministrit Zoran Zaev, por që ka mbështetjen edhe të BDI-së së Ali Ahmetit dhe të partive tjera që janë pjesë e koalicionit qeverisës.

“Koncepti që unë përfaqësoj e që e mbështesin mbi 31 parti politike, është koncepti i vetëm produktiv për Maqedoninë e Veriut. Ky koncept na çon drejt integrimit euroatlantik të vendit ndërsa në anën tjetër ofron edhe kohezion të brendshëm, kur kemi parasysh përbërjen etnike nga e cila varet stabiliteti dhe prosperiteti i shtetit".

"Në këto zgjedhje, ne nuk të votojmë vetëm për Stevo Pendarovskin, por duhet të legjitimojmë edhe një rrugë të re, apo magjistrale që na çon drejt botës përparimtare. Duhet të ecim rrugës që kemi nisur para dy viteve, pasi rrugë më të mirë besoj se nuk kemi”, thotë Pendarovski.

Ai konsideron se Marrëveshja e Prespës, me të cilën është zgjidhur kontesti 27 vjeçar me Greqinë për çështjen e emrit, nuk do të mund të zhbëhet, siç pretendon opozita, e cila në tubimet para elektoratit ka dalë me premtimin se në rast të fitores në zgjedhje do të nis procedurat për anulimin e marrëveshjes.

“Unë personalisht mendoj se Marrëveshja e Prespës nuk mund të anulohet me një deklaratë politike, pasi bëhet fjalë për një dokument të arritur nga dy palë, dhe veç kësaj, kemi dhe një garantues ndërkombëtar, Kombet e Bashkuara. Pra, aty kemi nënshkrime nga Shkupi, Athina dhe ndërmjetësi Metju Nimic".

"Ata duhet të kenë miratimin e pesë shteteve anëtarë të përhershme të OKB-së, se duhet të rihapen bisedimet pasi ato janë zhvilluar në bazë të rezolutës së tyre. Në anën tjetër, as kushtetuta nuk mund të ndërrohet me ndonjë klauzolë, siç pretendon opozita, par ka procedura se si duhet të bëhet një gjë e tillë”, ka deklaruar Pendarovski, duke dhënë vlerësime për dy kundër-kandidatët e tij, Blerim Rekën, që mbështetet nga opozita shqiptare dhe Gordana Siljanovskën, që mbështetet nga opozita maqedonase.

“Ambasadori Blerim Reka në këto aspekte nuk dallon nga unë, por koncepti i kandidates Gordana Siljanovska, është krejt i ndryshëm. Koncepti i saj na kthen pas nga këto procese. Ajo është kundër Marrëveshjes së Prespës, që është kryesorja për atë që kemi arritur deri më tani. Pra, kemi dy receta, njëri për të shkuar para si shtet dhe tjetri për bllokim dhe izolim të shtetit…Unë them se qytetarët duhet të zgjedhin mes kthimit në izolim të Nikolla Gruevskit dhe klikës së tij, apo përfundimisht të ecim drejtë botës së zhvilluar”, ka deklaruar Pendarovski.

I pyetur nëse zgjidhet president a do të jetë korrigjues i punës së partive që tani e kanë propozuar për postin më të lartë në shtet, apo do të jetë i dëgjueshmi i tyre, ngjashëm siç vlerësohet se ka qenë presidenti aktual, Gjorge Ivanov, Pendarovski thotë se puna e tij do të bazohet në profesionalizëm dhe respektimin e kompetencave si president.

“Unë i respektoj realitetet politike, por preferoj të jem jashtë të ashtuquajturave politikave ditore partiake. Nëse zgjidhem president, mund të garantoj se pas 12 majit kur presidenti dhe merr detyrën, unë mund vetëm t’i falënderoj partitë dhe të vazhdoj punën, pasi nuk e kam ndërmend të udhëheq politikë e cila konfrontohej me interesat e qytetarëve”, thotë Pendarovski.

Ai ka thënë se do të reagojë ndaj çdo devijimi të mundshëm, edhe në ato sfera ku nuk ka kompetenca.

“Do të reagoj kundër nepotizmit si dukuri e pranishme, do të luftoj për prosperitet dhe mirëqenie ekonomike duke mbështetur çdo zgjidhje që konsideron se është në të mirë të banorëve”, shprehet Pendarovski.

Sa i përket dhunës në Kuvend më 27 prill 2017 dhe dënimeve të shqiptuara për të akuzuarit për këtë ngjarje të rëndë, kandidati i partive në pushtet thotë se si jurist me profesion ka konstatuar se procedurat gjyqësore kanë qenë në përputhje me ligjin.

Pendarovski thotë se do të punojë për raporte të mira më të gjitha shtetet fqinje duke theksuar përkushtimin e tij pro-perëndimor. Ai thotë se nuk është për raporte të këqija me Rusinë. Moska është kundër NATO-së dhe të gjitha vendeve që anëtarësohen në këtë organizatë, por pavarësisht kësaj ai do të angazhohet për raporte të mira më këtë shtet me të para se gjithash në sferën ekonomike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG