Ndërlidhjet

Thaçi përsërit nga Londra: Dialogu dhe marrëveshja me Serbinë, zgjidhja e vetme


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ligjëratës në Institutin Mbretëror për Marrëdhënie Ndërkombëtare “Chatham House”, në Londër.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ligjëratës në Institutin Mbretëror për Marrëdhënie Ndërkombëtare “Chatham House”, në Londër.

Nga ambientet e Institutit Mbretëror për Marrëdhënie Ndërkombëtare “Chatham House”, në Londër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përsëritur qëndrimet e tij lidhur me dialogun me Serbinë, si opsion i vetëm i arritjes së një marrëveshje paqeje mes dy vendeve.

Gjatë ligjëratës së tij në këtë institut, presidenti Thaçi ka folur për situatën politike në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, për dialogun dhe synimet euro-atlantike të Kosovës.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Presidenca, thuhet se duke folur për dialogun me Serbinë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se nuk është lehtë kur armiqtë e dikurshëm flasin me njëri tjetrin, por dialogu dhe paqja janë zgjidhja e vetme.

“Komunikimi dhe dialogu janë mënyra e vetme për të ecur përpara, mënyra e vetme për të arritur paqe, përndryshe do të ngelim peng i së kaluarës dhe çmimin do ta paguajnë gjenerata e ardhshme. Mbes me shpresë dhe optimist se arsyeja do të mbizotërojë dhe se vendet tona do të arrijnë marrëveshje paqeje", citohet të ketë thënë presidenti Thaçi.

Sipas tij, një marrëveshje paqeje, ligjërisht obliguese, është në interes, jo vetëm të të dyjave vendeve, por edhe Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Për të lëvizur përpara në këtë ai ka bërë thirrje për reflektim të dyanshëm lidhur me dialogun.

“Marrëveshjet nuk mund të arrihen me veprime të njëanshme të asnjërës palë, apo me vendosjen e kushteve. Në Kosovë, mbi 70 për qind e qytetarëve e mbështesin dialogun dhe arritjen e marrëveshjes me Serbinë. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila do t’i mbyllë të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë, çështjet siç janë personat e pagjetur, refugjatët, trashëgimia kulturore dhe historike, bashkëpunimi ekonomik, të drejtat e komuniteteve dhe çështjet si edukimi, shëndetësia dhe të ngjashme’, ka thënë Thaçi.

Ai është shprehur i bindur se mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë kufij të bazuar në vija etnike, duke shtuar se Kosova do të mbetet shtet dhe shoqëri shumetnike.

Në ditët e kremtes për 70 vjetorin e NATO-s, presidenti Thaçi ka kujtuar bombardimet e kësaj aleance mbi forcat e ish-regjimit serb, duke thënë se intervenimi humanitar i NATO-s ndali gjenocidin dhe spastrimin etnik të forcave serbe, të Sllobodan Millosheviçit.

Në “Chatham House”, Thaçi ka thënë se zvarritja e procesit të liberalizimit të vizave për kosovarët “është një e padrejtë dhe dënim për gjeneratat e reja”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG