Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ritheksoi se taksa doganore 100 përqind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, e vendosur nga Qeveria e Kosovës, është në kundërshtim të plotë me qëndrimet e Bashkimit Evropian.
Këto deklarata, Apostolova i bëri në Prishtinë, në konferencën për shënimin e trevjetorit të marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, duke theksuar se tarifa nuk është në frymën e parimeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
"E theksuar tashmë disa herë, tarifa doganore 100 përqind, nuk është vetëm në kundërshtim me marrëveshjen e CEFTA-s, por është në kundërshtim edhe me parimet e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit".
"Bashkimi Evropian si investuesi më i madh në Kosovë dhe partneri më i madh tregtar, është mjaft i shqetësuar dhe thekson se këto barriera ndaj tregtisë së lirë, qoftë të vendosura nga Kosova apo ndonjë shtet fqinj tjetër, pengojnë rrugën rajonale të integrimit ekonomik. Po ashtu, e bën vendin joatraktiv për investime të huaja”, ka shtuar ajo.
Bashkimi Evropian ka bërë thirrje të vazhdueshme për tërheqjen e taksës doganore 100 përqind ndaj importeve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, masë të vendosur nga autoritetet e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar.
Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA), është marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, në aspektin ekonomik, e cila ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 2016.
Lidhur me zbatimin e kësaj marrëveshjeje, Apostolova tha se autoritetet e Kosovës, nuk kanë arritur të bëjnë një planifikim të mirëfilltë për shfrytëzimin e fondeve të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.