Ndërlidhjet

Papa: Çështja e migracionit nuk zgjidhet me barriera fizike


Papa Françesku, fotografi nga arkivi.
Papa Françesku, fotografi nga arkivi.

Papa Françesku tha se problemet me migracionin asnjëherë nuk mund të zgjidhen me barriera fizike, por kërkojnë drejtësi sociale dhe korrigjimin e pabarazive ekonomike në botë.

Këto komente Papa i bëri në nisjen e vizitës dyditore në Marok. Ai po ashtu ofroi mbështetjen e tij për përpjekjet e Mbretit të Marokut, Mohammed VI, për të përhapur një formë të moderuar të islamit, që nxit dialogun ndërfetar dhe kundërshton çdo formë të terrorizmit apo dhunës, duke u thirrur në emrin Zotit.

Në muajt e fundit, çështja e migracionit ka nxitur debate në Afrikën Veriore, në shtetet evropiane dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump është zotuar se do të përmbushë premtimin e tij elektoral për të ndërtuar një mur përgjatë kufirit me Meksikën dhe të premten paralajmëroi se javën e ardhshme do të mbyllë kufirin, nëse Meksika nuk ndalë migrantët që të vijnë në SHBA.

“Çështja e migracionit kurrë nuk do të zgjidhet duke ngritur barriera, duke nxitur frikë te të tjerët ose duke ua mohuar ndihmën atyre që me të drejtë aspirojnë një jetë më të mirë për veten dhe familjet e tyre”, tha Papa Françesku, gjatë një ceremonie në Marok, transmeton Reuters.

“Ne gjithashtu e dimë se konsolidimi i paqes së vërtetë vjen duke ndjekur drejtësinë sociale, e cila është e domosdoshme për të korrigjuar pabarazitë ekonomike dhe trazirat politike, që kanë pasur gjithmonë një rol të madh në gjenerimin e konflikteve dhe kanë kërcënuar gjithë njerëzimin”, tha Ati i Shenjtë.

Shteti i Marokut është bërë pikë kyçe e nisjes së migrantëve afrikanë, të cilët synojnë të arrijnë në Evropë, pasi shumë rrugë që më herët kanë përdorur migrantët, tashmë janë mbyllur.

Gjatë qëndrimit dyditor në Marok, Papa Françesku së bashku me Mbretin maroken, do të vizitojnë institutin e monarkisë së është themeluar më 2015, për trajnimin e imamëve.

Maroku, ku pothuajse 100 për qind e popullatës i takojnë besimit islam, thotë se është shtet ku ekziston toleranca fetare. Ky shtet ka ofruar trajnime për predikuesit myslimanë nga Afrika dhe Evropa, për atë që e përshkruan si islam të moderuar.

Kjo është vizita e parë e një Pape në Marok në 34 vjetët e fundit. Papa Françesku ka lavdëruar monarkinë e Marokut për ofrimin e “trajnimeve për të luftuar të gjitha format e ekstremizmit, që çojnë në dhunë dhe terrorizëm, dhe që në çdo rast përbëjnë shkelje ndaj fesë dhe ndaj Zotit”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG