Gjyqësori është sektori për të cilin qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë më së shumti ankesa, thuhet në raportin vjetor të Avokatit të Popullit për vitin 2018.
Zvarritja e procedurave gjyqësore mbetet problem kryesor për të cilin qytetarët kanë kërkuar mbrojtje nga Avokati i Popullit theksohet në raport.
“Nuk ka ndryshim as në aspekt të efikasitetit gjatë veprimeve të Prokurorisë Publike, sidomos nga rastet e evidentuara, kallëzimi penal të hidhet poshtë për shkak të shfaqjes së parashtrimit absolut për ndjekje penale që në mënyrë të pakontestueshme çon drejt konkluzionit se gjendja e tillë është rezultat i pasivitetit dhe ndërmarrjes në mënyrë efektive të veprimeve në procedurën parahetimore dhe hetimore nga ana e Prokurorisë", ka bërë të ditur Vaska Bajramovska zëdhënëse e Avokatit ët Popullit në Maqedoninë e Veriut.
Ajo ka shtuar se vazhdon praktika e hakmarrjes mbi baza të përkatësisë partiake.
“Për 60 për qind është rritur numri i parashtresave në lidhje me cenimin e të drejtave në punë. Qytetarët, të shumtën e rasteve, janë ankuar për shkeljen e procedurave gjatë punësimit, pagesën e rrogave, si dhe mosrespektimin e procedurave gjatë sistematizimit të të punësuarve në vendet e caktuara, si dhe të tjera”.
“Numri më i madh i ankesave të qytetarëve ka të bëjë me kërkesën për mbrojtje nga diskriminimi në bazë të përkatësisë politike, atë etnike, si dhe është kërkuar mbrojtje nga shqetësimi në vendin e punës”, ka theksuar Bajramovska.
Zvarritja e proceseve gjyqësore lidhur me shpronësimin e qytetarëve mbetet problem kyç për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, theksohet në raportin vjetor të Avokatit të Popullit.
Bajramovska, gjithashtu ka bërë të ditur se shënon rritje dhe numri i parashtresave ndaj kompetencave të focave të sigurisë, përkatësisht policisë së Maqedonisë së Veriut.
“Vazhdon dukuria e shkeljes së paligjshme joprofesionale de jokorrekte e punonjësve të caktuar policor ndaj qytetarëve“, theksohet në raport.
Avokati i Popullit kërkon ndryshime ligjore me të cilat ky institucion do të mund të veprojë si mekanizëm për kontroll civil të policisë.
Në fokus të kritikave në raportin e Avokatit të Popullit është vënë dhe sfera sociale ku theksohet se asistenca sociale për familjet e varfra, sipas raportit, nuk mjafton për plotësimin e nevojave elementare.
Në raportin e Avokatit të Popullit është cilësuar si alarmante gjendja lidhur me të drejtat e fëmijëve.