Ndërlidhjet

Netanyahu takon Trumpin në Uashington


Presidenti amerikan, Donald Trump (djathtas) dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
Presidenti amerikan, Donald Trump (djathtas) dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu do të takohet të hënën me presidentin amerikan, Donald Trump, teksa pritet që dy liderët të diskutojnë njoftimin e fundit të Shteteve të Bashkuara se duhet njohur sovranitetin e Izraelit në Lartësitë Golan.

Trump ka thënë përmes një postimi në Twitter më 21 mars se është koha që SHBA-ja të njohë “plotësisht” sovranitetin e Izraelit në rajonin që Izraeli e ka pushtuar nga Siria më 1967.

Netanyahu më pas ka falënderuar presidentin amerikan për deklaratat e tij lidhur me këtë çështje.

“Në kohën kur Irani kërkon të përdorë Sirinë si hapësirë për të shkatërruar Izraelin, presidenti Trump njeh sovranitetin e Izraelit në Lartësitë Golan”, ka thënë Netanyahu, që ka pretenduar se Irani është duke shfyrtëzuar këtë rajon për të kryer sulme në Izrael.

Turqia, Irani dhe Siria kanë dënuar deklaratat e Trumpit, derisa Rusia ka thënë se shpreson që komentet e presidentit amerikan do të mbesin “vetëm thirrje”.

Izraeli më 1967 ka pushtuar territor nga Siria në hapësirë prej 1,800 kilometra katrorë në Lartësitë Golan, gjatë asaj që njihet si Lufta Gjashtëditore.

Më 1981, Izraeli ka zgjeruar ligjet e saj në këtë rajon, duke e aneksuar atë, hap që nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.

Deklarata e Trumpit ka ardhur në më pak se një muaj para se të mbahen zgjedhjet e përgjithshme në Izrael, proces në të cilin Netanyahu përballet me sfidë të ashpër nga ish-shefi ushtarak, Benny Gantz, që tani është kryetar i partisë së qendrës.

Netanyahu ka thënë më 25 mars se do të qëndrojë për një kohë shumë të shkurtër në SHBA, pas një sulmi me raketë afër Tel Avivit.

Ai ka thënë se do të udhëtojë menjëherë në Izrael, pasi të përfundojë takimin me Trumpin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG