Ndërlidhjet

Thaçi, Haradinaj e Veseli shprehin mirënjohje për NATO-n dhe SHBA-në


Liderët e institucioneve të Kosovës kanë vlerësuar lartë kontributin e bashkësisë ndërkombëtare gjatë luftës në Kosovë, në 20 vjetorin e bombardimeve të NATO-s.

Presidenti Thaçi, gjatë një fjalimi në manifestimin e 21 vjetorit të Epopesë së Dukagjinit, tha se Epopeja shënoi një kthesë për liri dhe se madhështi kësaj date i dha intervenimi i NATO-s, 20 vite më parë.

“Kjo aleancë nuk është lidhur rastësisht, por pikërisht falë rezistencës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rezistencës së çdo qytetari të Kosovës. Sot kujtojmë me respekt Epopenë e Dukagjinit, vlerësojmë lartë mbështetjen ndërkombëtare, të cilën duhet ta ruajmë si sytë e ballit”, tha Thaçi.

Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar dëshmorët e rënë gjatë luftës në Kosovë. Haradinaj tha se tani Kosova duhet të punojë edhe më shumë për t'u bërë e plotë.

“Heronjtë dhe dëshmorët janë e vërteta, nderi dhe historia jonë e lavdishme. Në kujtim dhe nderim të sakrificës sublime për lirinë e atdheut, homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, ku prehen përjetësisht djemtë tanë më të zot. Dëshmorët e 24 Marsit, Gazmend Mehmetaj, Himë Haradinaj dhe Agron Mehmetaj do të jenë burim frymëzimi për ta mbrojtur të drejtën tonë, sot, nesër e përgjithmonë. Lavdi të gjithë atyre që luftuan dhe ranë për lirinë e Kosovës”, tha Haradinaj pas homazheve.

Në një letër dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, të shtunën, Haradinaj kishte shkruar se "populli i Kosovës do të jetë gjithmonë falenderues për kontributin e NATO-s për shpëtimin e mijëra jetëve dhe ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë".

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një postimi në Facebook, ka shprehur mirënjohje ndaj intervenimit të NATO-s, 20 vjet më parë, duke theksuar se këtë aleancë që e ka filluar UÇK-ja, siç tha, sot po e vazhdon edhe Ushtria e Kosovës.

“20 vjet më parë NATO filloi sulmet mbi Serbinë, për t’i dhënë fund terrorit të saj gjenocidal në Kosovë. Populli i Kosovës do të jetë përjetësisht mirënjohës ndaj udhëheqësve të botës demokratike në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata ishin me ne, në orën më të ligë të historisë sonë. Ne jemi krenarë që aleancën me NATO-n, të filluar nga UÇK-ja, sot po e vazhdon Ushtria e Kosovës. Gjithmonë në shërbim të lirisë dhe paqes”, tha Veseli.

Pas 78 ditë bombardimesh të NATO-s, Sllobodan Millosheviqi në atë kohë president i Serbisë u dorëzua në qershorin e vitit 1999 dhe pranoi Marrëveshjen e Kumanovës.

Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 12 44, me të cilën vendosi administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë dhe fuqizoi praninë ushtarake të KFOR-it.

Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ndërtoi institucionet e saj, të cilat më 17 shkurt të vitit 2008, shpallën pavarësinë e Kosovës.

Një fushatë ajrore në mbrojtje të njerëzimit

Një fushatë ajrore në mbrojtje të njerëzimit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:14:37 0:00

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG