Ndërlidhjet

A po rritet numri i fëmijëve të sëmurë pas bombardimeve të NATO-s?


Beograd, 30 prill 1999
Beograd, 30 prill 1999

Radios Evropa e Lirë nuk i është mundësuar qasja në rezultatet e studimit të Komisionit të Kuvendit të Serbisë për hetimin e pasojave të bombardimeve të NATO-s, të cilat në një konferencë për medie në Serbi, i ka paraqitur kryetari i atij komisioni, Darko Laketiq.

Siç ka thënë ai, rezultatet e studimit tregojnë që fëmijët (prej 5 deri në 9 vjet) të lindur në periudhën e bombardimeve të NATO-s “janë të ndjeshëm në dukurinë” e sëmundjeve malinje të gjakut.

Qasjen në këto rezultate preliminare, për të cilat kanë shkruar mediat në shkurt të këtij viti, tash për tash i ka vetëm Laketiq dhe Instituti i Shëndetit Publik i Serbisë “Milan Jovanoviq Batut”, i cili punon në këtë hulumtim, pati thënë Laketiq, më 5 mars, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.

Kërkesës së Radios Evropa e Lirë për t’i parë të dhënat, Laketiq atëherë i ishte përgjigjur që të dhënat mund t’i ketë “në momentin që studimi të përfundojë”.

“Studimi është relativisht afër përfundimit dhe atë do ta kenë opinioni profesional dhe shkencor, si dhe opinioni në përgjithësi”, pati thënë Laketiq.

Rezultatet e përmendura, Radio Evropa e Lirë i ka kërkuar edhe nga Instituti “Milan Jovanoviq Batut”, por nga ky institut kanë thënë se nuk i posedojnë ato. Gjithashtu, nga ky institut është thënë se për Komisionin e Kuvendit të Serbisë i kanë kryer “analizat e caktuara të të dhënave që gjenden në Regjistrin e personave të sëmurë nga tumoret malinje në Serbi” dhe se të njëjtat ia kanë dhënë kryetarit të Komisionit.

“Përkujtojmë që të dhënat nga Regjistri i personave të sëmurë nga tumoret malinje në Serbi, janë të qasshme publikisht në formën e raporteve përmbledhëse, të cilat publikohen në prezantimin e Institutit përmes internetit”, thuhet në përgjigjen e këtij instituti.

Qielli mbi Beograd nga bombardimet e NATO-s
Qielli mbi Beograd nga bombardimet e NATO-s

Radio Evropa e Lirë ka analizuar të dhënat e qasshme publike të institutit “Batut” nga të cilat del se mesatarisht rreth 10 fëmijë (të moshës nga 5 deri në 9 vjet) janë sëmurë nga sëmundjet malinje të gjakut, në nivel vjetor, në periudhën nga viti 1999 deri në vitin 2015.

Nga instituti “Batut” nuk i janë përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë se si janë përcjellë këto të dhëna Komisionit të Kuvendit të Serbisë dhe a mundet që në bazë të këtyre të dhënave të nxirren përfundimet, të cilat i ka paraqitur Laketiq.

Të dhënat e Komisionit, në të cilat deputetët nuk kanë qasje

Lidhur me rezultatet preliminare të Komisionit, Laketiq ka folur me 11 shkurt për gazetën ditore, Politika, ndërkaq intervista është publikuar në faqen qendrore të asaj gazete, me titull “Gjithnjë e më tepër fëmijë të sëmurë”, të cilën më pas e kanë publikuar edhe mediet tjera.

Në tekstin e gazetës Politika thuhet që rezultatet e Komisionit i janë dorëzuar të gjithë deputetëve në Kuvendin e Serbisë në dhjetor të vitit 2018, me qëllim të informimit të tyre.

Radio Evropa e Lirë i ka pyetur deputetët e Kuvendit të Serbisë - deputetin e Partisë së Re, Zoran Zhivkoviq, dhe deputetët e Partisë Popullore, Sanda Rashkoviq Iviq dhe Miroslav Aleksiq - se a i kanë marrë rezultatet e Komisionit, të cilat po përmenden.

Deputeti i partisë në pushtet, Partia Progresiste Serbe, Dragan Shormaz ka refuzuar që të përgjigjet në pyetjen e Radios Evropa e Lirë “derisa këtë të mos e sqarojë Laketiq”.

“Unë e kam pyetur, para një muaji, kryetarin e Komisionit, se a ekziston ai raport dhe ai më ka thënë se e kanë dërguar disa ditë më parë një dokument lidhur me këtë temë. Në atë dokument shkruan vetëm që Komisioni ose grupi punues, ka nisur me punën. Do të thotë, nuk ka kurrfarë raporti, ndërkaq që më pas, kam parë në gazeta një shpjegim të gjerë që pasojat janë evidente dhe të mëdha. Ne nuk e kemi parë këtë formalisht dhe unë shpreh dyshimet nëse fare ekziston ai raport”, theksoi deputeti Zhivkoviq.

“Unë kam shpresuar që do të marrim disa informacione, por deri më sot - pra, kanë kaluar 9 muaj - ne nuk kemi absolutisht asnjë shkronjë rreth raportit”, tha Rashkoviq Iviq.

“Unë kam parë në media, kohë më parë,disa shkrime se së shpejti duhet të paraqitet ai raport, se një lloj raporti ekziston. Ne, si deputet të popullit nuk kemi marrë absolutisht asnjë raport dhe as që jemi të njoftuar me çfarëdo qoftë se çfarë ka punuar ai komision”, theksoi Aleksiq.

Ndërtesa e Ambasadës së Kinës në Beograd e bombarduar nga NATO
Ndërtesa e Ambasadës së Kinës në Beograd e bombarduar nga NATO

Komisionin për hetimin e pasojave të bombardimeve të NATO-s e ka themeluar Kuvendi i Serbisë, në maj të vitit 2018. Detyra e këtij komisioni, siç thuhet, është “për të parë faktet dhe rrethanat lidhur me pasojat e bombardimeve të NATO-s të vitit 1999, ndaj shëndetit të qytetarëve të Serbisë, si dhe ndikimin në mjedisin jetësor, me rishikimin e veçantë ndaj pasojave që ka lënë përdorimi i raketave me uranium të varfëruar”.

Ky Komision ka për obligim që të informojë Kuvendin e Serbisë për aktivitetet e veta, për çdo 6 muaj, ndërkaq raporti i parë preliminar me propozimin e masave, Komisioni është i obliguar që ta paraqesë deri në fund të vitit 2020.

'Rritja e ndjeshmërisë' ndaj sëmundjeve malinje

Laketiq, i cili njëkohësisht është edhe deputet i partisë në pushtet, Partisë Progresiste Serbe, më 19 mars, në konferencën kushtuar punës së deritashme të Komisionit për hetimin e pasojave të bombardimeve të NATO-s, ka thënë që “bombardimet e NATO-s kanë shkaktuar pasoja të paparashikueshme”.

Ai ka theksuar që Komisioni i shqyrton efektet “e të gjitha substancave toksike, të cilat janë liruar gjatë bombardimeve të NATO-s” dhe se të dhënat që i janë paraqitur Komisionit, janë të bazuara në hulumtimet shkencore - mjekësore “të cilat duhet të provojnë lidhjen shkak-pasojë ndërmjet rritjes së sëmundjeve malinje dhe toksinave të caktuara”.

Në fokusin e vëmendjes së Komisionit, sipas Laketiqit, janë të dhënat deri te të cilat ka ardhur në bashkëpunim me Institutin “Batut” në Beograd. Në kuadër të këtij hulumtimi, Komisioni ka përcjellë shkallën e shkaktimit të sëmundjeve nga sëmundjet malinje te fëmijët e disa moshave në Serbinë qendrore, të lindur gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s në vitin 1999. Siç thekson Laketiq, Komisioni vuri në dukje "rritjen e ndjeshmërisë ndaj sëmundjeve të caktuara”.

“Në grupmoshën prej 5 deri në 9 vjet, ku kemi ekzaminuar shpeshtësinë e sëmundjeve malinje të gjakut, kemi shenja të rëndësisë statistikore”, theksoi Laketiq.

Spital në Serbi
Spital në Serbi

Me rastin e prezantimit të rezultateve të studimit, Laketiq nuk sqaroi saktë se te cilat gjenerata janë hetuar ndryshimet dhe në raport me cilën periudhë radhiten të dhënat. Gjithashtu, Laketiq nuk thotë se kemi rritje të numrit të të sëmurëve, por që është vërejtur “rritje e ndjeshmërisë” dhe se ekziston “rëndësia statistikore”.

Fokusi i këtij hulumtimi, siç ka sqaruar Laketiq, është në fëmijët, sepse te të rriturit ekzistojnë shumë faktorë të rrezikut, kur bëhet fjalë për sëmundjet malinje, të cilat te fëmijët nuk janë të pranishme, të tilla si mbipesha dhe pirja e duhanit.

Komisioni, siç thekson Laketiq, ka përcjellë shpeshtësinë e atyre sëmundjeve malinje, të cilat në një moshë të caktuar të fëmijëve janë më të zakonshme dhe sipas tij, në periudhën prej 5 deri në 9 vjet, më të zakonshmet janë sëmundjet malinje të gjakut.

Laketiq nuk e thotë në mënyrë të qartë që në rritjen e shkallës së të sëmurit te fëmijët ka ndikuar bombardimi i NATO-s, por në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë që “ne, si njerëz të përgjegjshëm dhe shkencëtarë, para së gjithash, duhet të dyshojmë që ndonjë faktor ka vepruar në shfaqjen e ndjeshmërisë së shtuar të asaj pjese të popullsisë”.

Radio Evropa e Lirë ka analizuar të dhënat e studimit “Incidenca dhe mortaliteti nga kanceri në Serbinë qendrore”, i cili është i qasshëm në faqen e internetit të Institutit “Milan Jovanoviq Batut”.

Sipas këtyre të dhënave, të cilat “Batut” i publikon që nga viti 1999 deri në vitin 2015, mesatarisht 10 fëmijë të moshave prej 5 deri në 9 vjet, në nivel vjetor, sëmuren nga sëmundjet malinje të gjakut (leukemisë) dhe kjo është kategoria e fëmijëve që janë subjekt i analizës së Komisionit të Kuvendit të Serbisë dhe për të cilën thuhet se ekziston “rëndësia statistikore”. Për shembull, sipas të dhënave të Institutit “Batuta”, në këtë kategori, në vitin 1999 janë sëmurë nga leukemia gjithsej 9 fëmijë, ndërkaq në vitin 2010, janë sëmurë 10 fëmijë.

Epidemiologu Zoran Radovanoviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se përqindja e fëmijëve që sëmuren nga kanceri, në përgjithësi, është e vogël.

“Në strukturën e sëmurjes së fëmijëve deri në 14 vjet, janë 0.4 për qind të sëmurë nga kanceri, nga 0 deri në 19 vjet, në Serbi, janë diku rreth 0.8 për qind. Në Amerikë është 1 për qind. Do të thotë, praktikisht kjo është pjesë e papërfillshme dhe këtu nuk ka rritje”, theksoi Radovanoviq.

Sipas vlerësimeve më të reja, në mesin e 40 vendeve të Evropës, Serbia renditet në radhën e vendeve me rrezik të mesëm për t'u sëmurë nga kanceri (gjendet në vendin e 12) dhe me rrezik të lartë të vdekjes nga sëmundjet malinje në Evropë (në vendin e dytë, menjëherë pas Hungarisë), thuhet në faqen e internetit të Institutit “Milan Jovanoviq Batut”.

Po ashtu, në këtë faqe të internetit thuhet që shkaktarët kryesorë të sëmurjeve dhe vdekjeve nga kanceri në Serbi, janë “gati se identik me shkaktarët kryesorë të sëmurjeve dhe vdekjeve nga tumoret malinje në shumicën e vendeve në zhvillim”.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG