Ndërlidhjet

Ligji i ri për armët synon ta bëjë më të sigurt Zelandën e Re


Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern
Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern ka thënë të hënën se brenda ditëve do të bëjë të ditura detajet e Ligjit të ri për armët, pas një sulmi me armë zjarri të premten, që ka lënë të vdekur 50 persona në dy xhami në Kristçërç.

Australiani, Brenton Tarrant, 28 vjeçar, është akuzuar për vrasje të shtunën. Ai pritet të kthehet sërish në gjykatë më 5 prill, dhe mund të përballet me akuza tjera.

“Brenda 10 ditëve të këtij akti të tmerrshëm të terrorizmit ne do të njoftojmë për reformat që, unë besoj se do ta bëjnë komunitetin më të sigurt”, ka thënë Ardern gjatë një konference për media, pasi ka mbajtur një takim me kabinetin e saj, për të diskutuar reformat në ligjin e armëve, pas të ngjarjes më të rëndë me të shtëna me armë zjarri që ka ndodhur në këtë vend.

Pamje në ditën e sulmit

Pamje pas sulmeve në Zelandën e Re
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:00 0:00

Përveç 50 personave të vdekur, dhjetëra të tjerë janë plagosur në dy xhami, derisa kanë qenë duke kryer lutjet e së premtes.

Pronari i dyqanit, Gun City, David Tipple ka thënë se sulmuesi i dyshuar ka blerë legalisht përmes internetit katër armë dhe municion nga dhjetori i vitit 2017 deri në mars të 2018-ës, mirëpo atij nuk i janë shitur armët me të cilat ka kryer masakrën.

“Arma e stilit ushtarak, që është raportuar të jetë përdorur nga sulmuesi i dyshuar, nuk është blerë në dyqanin Gun City”, ka thënë Tipple gjatë një konference për media në Kristçërç.

Sipas Ligjit për armë në Zelandën e Re, armët e kategorisë A, mund të jenë gjysmë-automatike mirëpo të kufizuara në shtatë të shtëna. Ndërkohë në disa pamje online, sulmuesi është parë të ketë bërë një varg të shtënash në xhami.

Tipple ka thënë se mbështet planin e kryeministres Ardern për të ndryshuar Ligjin për armët, meqë sulmi në Kristçërç ka ngritur shqetësime legjitime.

Ardern nuk ka dhënë shumë detaje për ligjin e ri, mirëpo ka përmendur si ai ndalon armët automatike, pas sulmit të fundit.

Australia ka prezantuar disa nga ligjet më të ashpra në botë për armët, pas një masakre që ka ndodhur më 1996, ku një sulmues i armatosur ka vrarë 35 persona, duke përdorur një armë gjysmë-automatike të llojit AR-15.

Kjo armë është përdorur edhe në masakrën në Kristçërç.

Australia ka ndaluar armët përdorimin e armëve gjysmë-autormatike, ka nisur një fushatë për dorëzim të armëve dhe ka bërë rregulla tejet të ashpra për të gjithë llojet tjera të armëve të zjarrit.

Dëshmitari përshkruan ngjarjen

Një dëshmitar përshkruan sulmin në Zelandën e Re
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:54 0:00

Dorëzimi i armëve

Kryeministrja Ardern ka mbështetur të gjithë ata persona që synojnë të dorëzojnë armët e tyre.

“Mësimi i qartë nga historia në gjithë botën është se nëse kërkojmë që ta bëjmë komunitetin tonë më të sigurt, ne duhet të veprojmë tani”, ka thënë ajo.

“Unë besoj thellësisht se shumica e atyre që kanë armë në Zelandën e Re do të pajtohen me ndryshimet që na duhet bërë”.

Në Zelandë të Re, shtet me vetëm 5 milionë banorë, besohet se ka 1.5 milionë armë zjarri.

Në një raport të Radios Zelanda e Re, që është bazuar në të dhënat e policisë, është thënë se 99 për qind e personave që kanë aplikuar për armëbajtje më 2017, kanë përfunduar këtë proces me sukses.

Banorët e këtij vendi kanë fituar licensë për armë të kategorisë A, pasi një kërkimi të së kalurarës së tyre.

Në këtë vend janë të licensuar vetëm personat dhe jo armët, andaj nuk ka raport të saktë, se sa armë mund t’i ketë një banor.

Megjithatë, krimet e dhunshme janë shumë të rralla në Zelandën e Re dhe policët zakonisht nuk bartin armë.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG