Protestuesit e thirrur nga opozita e Shqipërisë janë përplasur me Policinë e Shtetit në Tiranë, pasi ata tentuan të hynë brenda rrethimit të Kuvendit.
Policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.
Turma e atyre që po tentonin te futeshin në ambientet e Parlamentit është shpërndarë, por megjithatë janë kundërpërgjigjur duke qëlluar me sende të forta në drejtim të policisë.
Opozita ka thënë se këto protesta organizohen nga qytetarët, pakënaqësia e të cilëve është akumuluar për një kohë të gjatë.
Presidenti Ilir Meta përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se “është duke ndjekur me shqetësim situatën”.
Ai ka bërë thirrje për demonstrim paqësor dhe ruajtje të qetësisë dhe u kërkoi të gjithëve “të evitojnë konfrontimet dhe të qëndrojnë larg provokimeve”.
Kjo është protesta e pestë e organizuar nga partitë opozitare në Shqipëri, të cilat kërkojnë largimin e Qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.