Ndërlidhjet

Shkup: Dënohen me 211 vjet burgim të akuzuarit për dhunën në Kuvend


Dhuna në Kuvendin e Maqedonisë, 27 prill 2017
Dhuna në Kuvendin e Maqedonisë, 27 prill 2017

Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar me gjithsej 211 vjet burg 16 të akuzuarit për dhunën në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut të kryer më 27 prill të vitit 2018. Ata gjykata i ka shpallur fajtor për veprën penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”. Në mesin të dënuarve është edhe ish ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov.

“Në emër të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjykata ka sjellë vendimin e mëposhtën duke i shpallur fajtor të akuzuarit për ngjarjen e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Mitko Çavkov dënohet 18 vjet, me nga 15 vjet burg dënohen Mitko Peshov, Dushko Llazarov, Goran Gjoshevski, Jane Çento, Mumin Pepiq, Nikolla Mitrevski dhe Vllatko Trajkovski. Viljan Mihajllovski është dënuar me 14 vjet burg. Oliver Popovski me 13 vjet ndërsa me nga 12 vjet Mlladen Dodevski".

"Gorançe Angellovski dhe Igor Jug. Oliver Radullov me 10 vjet, Aleksandar Vasilevski-Ninxha me 8 vjet dhe Abdylfeta Alimi me 7 vjet burg”, ka deklaruar kryetarja e gjykatës, Dobrilla Kacarska. Nga gjithë të akuzurit vetëm Igor Durllovski ish drejtor i Teatrit të Operas dhe Baletit është shpallur i pafajshëm.

“Bëhet fjalë për vepra të harmonizuara që janë kryer në koordinim me struktura të caktuara duke filluar që nga mobilizimi i anëtarësisë, të shumë shoqatave të cilët ishin furnizuar me maska dhe mjete tjerë me synimin për të hyrë me dhunë në Kuvend".

"Dhuna në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ka qenë e orkestruar, e përgatitur nga grupe të caktuara dhe e ndihmuar nga strukturat të sigurisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme. Mitko Cavkov i cili ishte në detyrën e drejtorit të sigurisë publike nuk ka kryer detyrën e tij si koordinator i aksioneve policore i cili ka injoruar edhe shumë kërkesa dhe paralajmërime të zyrtarëve më të lartë se po përgatiteshin skenare dhune në Kuvend”, ka deklaruar gjykatësja Kacarska.

Nga Prokuroria e cila ka hartuar padinë ndaj të dënuarve për veprën penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë” kanë bërë të ditur se vendimi i gjykatës ka arsyetuar pretendimet mbi përfshirjen e të dënuarve në këtë vepër të rëndë.

“Prokuroria ka dëshmuar se më 27 prill është organizuar pushtimi me dhunë ndaj një nga institucionet më të rëndësishme në vend. Dëshmuam se nuk bëhej fjalë për sulm spontan apo emocional. Sulmi ishte kryer me paramendim me qëllim rrezikimin e rendit kushtetues dhe sigurisë”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.

Për aktet e dhunshme në Kuvend janë amnistuar paraprakisht disa persona përfshirë edhe disa deputetë të VMRO DPMNE-së që është kritikuar nga opinioni i gjerë për shkak të dyshimeve se bëhet fjalë për pazar mes pushtetit aktual dhe këtyre deputetëve për të siguruar votën e tyre për miratimin e ndryshimeve kushtetuese për zbatimin e marrëveshjes për emrin me Greqinë.

Trazirat në Kuvend kishin nisur rreth orës 18.00 të datës 27 prill në momentin kur opozita e cila kishte siguruar shumicën kishte nisur procedurën për zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Video nga arkivi

Turma jashtë Kuvendit kishte nisur me forcë sulmin ndaj Kuvendit derisa disa deputetë të VMRO-së brenda Kuvendit i kishin hapur atyre dyert duke i orientuar drejt qendrës së medieve ku përfaqësuesit e opozitës po jepnin deklarata lidhur me zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri.

Nga dhuna në Kuvend kishin pësuar shumë deputetë, e më së shumti Zijadin Sela deputet i Aleancës për Shqiptarët dhe Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së e cila atë kohë ishte në opozitë. Lëndime kishte marrë edhe Radmilla Shekerinska, nënkryetare e LSDM-së, Lupco Nikollovski dhe përfaqësues të tjerë të LSDM-së.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG