Ndërlidhjet

Limaj: Të gjithë po kërkojnë që ta pezullojmë taksën


Fatmir Limaj.
Fatmir Limaj.

Ekipi negociator i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Fatmir Limaj u takua të mërkurën me drejtorin e përgjithshëm për Çështje Politike në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore.

Pas takimit, Limaj, konfirmoi se zyrtari britanik ka kërkuar nga Kosova që të pezullohet taksa doganore ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, në mënyrë që t’i jepet mundësi vazhdimit të dialogut.

“Tashmë është i njohur për të gjithë ne qëndrimi i të gjithë miqve që të gjendet rrugë për t’i dhënë mundësi vazhdimit të dialogut, të gjendet rrugë për t’i larguar pengesat, të cilat janë në dialog dhe ato vazhdimisht na e thonë edhe në Prishtinë edhe në Bruksel".

Ai tha se të gjithë zyrtarët ndërkombëtarë, që po vizitojnë Kosovën, po kërkojnë që të pezullohet taksa.

“Të gjithë që vijnë, në një mënyrë apo tjetër kërkojnë që t’i jepet mundësi dialogut dhe të pezullohen pengesat, në këtë rast taksa, dhe ne në çdo rast mundohemi të shpjegojmë që kushtëzimet nuk janë të mira në dialog dhe jemi të interesuar dhe fokusuar që sa më shpejt të fillojë dialogu. Shpresoj që të dy palët të fillojnë dialogun sa më shpejt”, tha Limaj.

Sipas tij në takimin e sotëm është biseduar për përgatitjet që po i bën Kosova për vazhdimin e dialogut me Serbinë, proces ky që është bllokuar prej kur Qeveria e Kosovës ka vendosur taksë 100 për qindë në importet e Serbisë dhe Bosnjës.

Sipas Limajt, Britania mbështet dhe inkurajon Kosovën që të jetë pjesë e bisedimeve, me qëllim, siç u shpreh ai, që të përmbyllen çështjet e hapura me Serbinë dhe procesi i dialogut të përfundojë me njohje të ndërsjellë.

Përveç Limajt, Moore është takuar gjatë ditës edhe me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, me të cilin ka diskutuar për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë.

"Kosova ka folur me një zë dhë për këtë ka votuar në Kuvend Ligjin dhe Platformën për Dialog, që përfaqëson unitetin e institucioneve tona. Mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe për Kosovën dhe qëndrimin e palëkundur në ruajtjen dhe mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të saj", tha Haradinaj.

Serbia thotë se nuk do të rikthehet në dialog derisa Kosova të heqë taksën derisa, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, insiston në anën tjetër që taksa do të mbesë në fuqi deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara në vazhdimësi kanë kërkuar që taksa të pezullohet, masë e cila, po vlerësohet si pengesë në procesin e dialogut në Bruksel, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG