‘Deri kur mund të vazhdojë Kosova të ketë përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare kur vazhdon të dëshmojë mungesën e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar’, ishte pyetja që ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, parashtroi në një tryezë debati në Prishtinë, i shqetësuar me emërimet e vazhdueshme politike nëpër bordet e ndërmarrjeve dhe agjencitë shtetërore.
Emërimi i anëtarëve në bordet e ndërmarrjeve publike në Kosovë është një ndër proceset që vazhdimisht është kritikuar nga shoqëria civile në Kosovë, e së fundmi, edhe nga faktori ndërkombëtar.
Tashmë është bërë praktikë që secila parti apo secili koalicion që vjen në pushtet, të emërojë anëtarët e partive politike në bordet e ndërmarrjeve publike. Madje, sipas shoqërisë civile, ndarja e posteve bëhet qysh në kohën e arritjes së marrëveshjeve të partive politike për koalicione qeverisëse.
Lidhur me emërimin e anëtarëve në bordet e ndërmarrjeve publike, ditë më parë kanë reaguar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, ambasada e Gjermanisë dhe zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Ata kanë reaguar lidhur me emërimin nga Kuvendi i Kosovës, të Naser Shalës në pozitën e drejtorit të Sekretariatit të Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës.
Pas kësaj, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Bordit të kësaj agjencie, në shenjë pakënaqësie për emërimin e Shalës, duke e konsideruar se ai nuk i ka përmbushur kriteret dhe është shkelur memorandumi.
Ky memorandum është nënshkruat në vitin 2016, nga Ambasada britanike në Kosovë me Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës, për siç thuhet, pavarësimin e bordeve të agjencive të pavarura.
Ambasada britanike financon një kompani të pavarur e cila udhëheq procesin e rekrutimit në pozita të larta në institucionet e Kosovës, e që sipas kësaj kompanie, ishte një kandidate tjetër që i plotësonte kushtet për të udhëhequr këtë agjenci.
Në anën tjetër zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se qeveria është e përkushtuar për të respektuar memorandumin, por zgjedhja e Naser Shalës, ka rezultuar pas votimeve të deputetëve të Kuvendin e Kosovës.
Haki Shatri. këshilltar për ekonomi i kryeministrit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Zyra e Kryeministrit i ka dërguar në Kuvend emrat e kandidatëve për këtë pozitë.
“Është e drejtë e deputetëve që ne nuk mundem të imponojmë. Por, siç duket ndonjë grup i interesit ka lobuar dhe i ka bindur deputetët që të votojnë personin i cili nuk ka pasur pikët maksimale, në krahasim me kandidatet tjerë. Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për bashkëpunim edhe me Ambasadën e Britanisë se Madhe, por edhe më ambasadat tjera në Prishtinë”, tha Shatri.
Por, nuk është vetëm emërimi i Naser Shalës ai që merret si shqetësim për shoqërinë civile në Kosovë.
Besnik Boletini, hulumtues në organizatën joqeveritare “Çohu” në një bisedë për Radion Evropa e Lirë tha se në hulumtimet e kësaj organizate rezultojnë se në bordet dhe pozitat vendimmarrëse në ndërmarrje nga të gjitha qeveritë janë emëruar zyrtarë partiakë.
Sipas hulumtimit të kësaj organizate për periudhën 2010-2016, janë evidentuar 92 zyrtarë të lartë të punësuar në ndërmarrjet publike, e që kanë lidhje më partitë politike. Por, ky trend sipas Boletinit ka vazhduar edhe gjatë qeverisjes aktuale.
Ky fenomen, thotë ai, ka ndikuar në përkeqësimin e performancës së ndërmarrjeve publike.
“Lidhjen politike e kemi evidentuar në këtë mënyrë, nëse një qytetar ka kandiduar në zgjedhjet lokale, nacionale ose kanë qenë në strukturat partiake, këshilltar politik ose asamblistë, e të tjerë. Do të thotë, këtu është vetëm lidhja direkt politike, kurse nuk është e përfshirë nepotizmi ose lidhjet tjera që mund të jenë. Sipas hulumtimeve, secila parti që ka ardhur në pushtet ka shfrytëzuar rastin për punësim të militantëve të vetë në pozita të larta”, thekson Boletini.
Ambasadori i Britanisë se Madhe në Prishtinë, Ruair O’Conell, të hënën tha se korrupsioni në Kosovë, sidomos ai i nivelit të lartë nuk është duke u luftuar. Kosova nuk guxon të jetë strehimore e krimit dhe korrupsionit sepse kjo është e rrezikshme për qytetarët dhe Evropën, tha O’Connell gjatë një tryezë të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Është koha e fundit, sipas tij, që politika t’i largojë duart nga sistemi i drejtësisë dhe institucionet e pavarura.
“E kam edhe një pyetje? Deri kur mund të vazhdojë Kosova të ketë përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare kur vazhdon të dëshmojë mungesën e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Është koha e fundit, që zyrtarët me integritet të kontestuar të hiqen nga pozitat dhe të ndiqen për veprimet e tyre”, tha O’Connell.
Ndryshe, vendet më të preferuara për punësim në Kosovë vazhdojnë të mbesin bordet e ndërmarrjeve publike, për shkak të vlerës së lartë të pagave dhe përfitimeve të tjera. Në çdo konkurs, numri i aplikuesve është shumë i madh, por në shumicën e rasteve nuk është marrë për bazë kriteri profesional, por përkatësia partiake.