Ndërlidhjet

Përfaqësim i ulët i grave në institucionet e Maqedonisë së Veriut


Protesta e 8 marsit në Maqedoni
Protesta e 8 marsit në Maqedoni

Organizatat joqeveritare që në fokus kanë të drejtat e grave, thonë se institucionet e pushtetit qendror dhe të vetëqeverisjes lokale, si dhe shoqëria në tërësi në Maqedoninë e Veriut ka shumë punë për të bërë në drejtim të respektimit të drejtave të grave.

Përfaqësimi i grave në institucionet e shtetit akoma mbetet i ulët, përkatësisht larg përfaqësimit të barabartë prej 50 për qind.

Por, sipas organizatave që në fokus kanë të drejtat e grave, pozitat udhëheqëse shumë pak u besohen grave.

“Rreth 60 për qind e grave janë joaktive në tregun e punës edhe pse një pjesë e tyre janë me arsim të lartë. Përderisa vetëm 30 përqind e gjinisë mashkullore mbeten joaktiv, 15 në tregun e punës dhe vetëm 15 për qind e tyre janë të papunë".

"Më vjen shumë keq që shteti nuk ndan mjete financiare dhe kapacitete teknike dhe njerëzore që vërtetë të zbatohet barazia gjinore në të gjitha poret e shoqërisë”, thotë Sneshka Iliq nga platforma “Reaktor”.

Ndërkaq, Arbenita Meta aktiviste për të drejtat e grave, thotë se mbetet shumë punë në drejtim të përfaqësimit të denjë të femrës shqiptare në institucionet e shtetit edhe në ato vende ku ajo është e prezantuar në realitet, siç shprehet ajo, mbetet një zë i heshtur.

Ajo thekson se nëse politika vendos t'i hap dyert e institucioneve për femrat duke u besuar pozitat udhëheqëse nuk do të mundësojë vetëm respektimin e barazisë gjinore, por do të krijojë mundësi për një shoqëri me më shumë perspektivë duke vënë në shfrytëzim aktiv kapacitetet dhe potencialin e gjysmës së popullatës e cila kryesisht shfrytëzohet për aktivitetet e punëve të shtëpisë.

“Nëse institucionet do tu besohen femrave për t'i drejtuar besoj se do të kishim shum; më shum; produktivitet, shumë më shumë ndryshime, por edhe perspektiva të reja sepse gratë janë të prirura që më lehtë t'i bëjnë ndryshimet”, thotë Arbenita Meta.

Të dhënat tregojnë se gratë në strukturat drejtuese të institucioneve të shtetit janë të përfaqësuara vetëm me 29 përqind, që është larg balancit gjinor.

Nga ana tjetër, Vangelina Parmaçka e cila përfaqëson gratë e zonave rurale vecanërisht fshatrat malore, ka kërkuar që institucionet t’i zbatojnë të gjitha ligjet për mbrojtjen nga diskriminimi në bazë gjinore, duke vënë fokusin në mundësinë tejet të limituar që një grua në zonat rurale të punësohet.

"Qeveria duhet të ndërmarrë një varg masash sistemore për të krijuar mundësi për punësimin e grave në zonat rurale, masa këto përmes së cilave do të pranohej puna e papaguar e grave përkatësisht angazhimi që aoa bëjnë gjatë përkujdesjes për familjen dhe veçanërisht puna bujqësore, njëherësh duhet punuar në drejtim të realizimit të për pension dhe sigurimit të pushimit të lehonisë.” thotë Parmaçka.

Ndaj kërkesave të grave nga strukturat qeveritare kanë kujtuar se barazia gjinore është inkorporuar në programin e Qeverisë që përfshin periudhën kohore 2017-2020, duke u zotuar se Qeveria do të ndjekë politikat për realizimin e të drejtave të grave në çdo pore të shoqërisë si dhe do të angazhohet përmes një buxheti transparent gjatë ndarjes së resurseve materiale për balancim gjinorë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG