Ndërlidhjet

Pas takimit me Hale, liderët të gatshëm për vazhdimin e dialogut


Nënsekretari amerikan për Çështje Politike, David Hale
Nënsekretari amerikan për Çështje Politike, David Hale

Nënsekretari amerikan për Çështje Politike, David Hale, të shtunën ka arritur në Kosovë për të zhvilluar takime me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në prani të ambasadorit amerikan Philip Kosnett, kanë zhvilluar një takim në rezidencën amerikane në mëngjesin e së shtunës me nënsekretarin David Hale. Pas takimit, liderët nuk kanë pranuar të flasin para medieve.

Përmes Facebook, presidenti i Kosovës tha se në takim është diskutuar për dialogun me Serbinë dhe se "Kosova përsëriti zotimin se është gati për dialog sa më gjithëpërfshirës dhe transparent. Për këtë edhe Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Platformën për Dialogun".

"Biseduam edhe për zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë për vazhdimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë në këtë momentum të ri, si mundësi për një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse, që do t’i mbyllë të gjitha çështjet e hapura në mes të vendeve tona. Pra, për një marrëveshje ligjërisht obliguese, që do të sjellë njohjen reciproke dhe ulësen në Kombet e Bashkuara dhe që do të na mundësojë që të kalojmë nga gjendja e armiqësisë së përhershme në një gjendje të paqes, normalitetit dhe bashkëpunimit mes vendeve tona", tha Thaçi në Facebook.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, përmes Twitter, tha se nënsekretari Hale ka vlerësuar qëndrimet e liderëve të Kosovës dhe ka nënvizuar përkushtimin e SHBA-së për Kosovën dhe rajonin.

"Ndjehem mirë që jam në Kosovë për të diskutuar se si Shtetet e Bashkuara dhe Kosova mund të vazhdojnë bashkëpunimin në ndërtimin e paqes, drejtësisë dhe prosperitetit për Kosovën dhe rajonin",tha Hale.

Edhe kryeministri Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook tha se ka ritheksuar qëndrimin e Kosovës për rikthimin e dialogut me Serbinë " ku do të diskutohen të gjitha çështjet përfshirë edhe tregtinë e lirë që të arrihet marrëveshje me njohje në kufijtë ekzistues".

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha përmes një shkrimi në Facebook se në takimin me nënsekretarin Hale “theksova se qëllimet e Kosovës mund të arrihen vetëm duke ruajtur dhe duke fuqizuar partneritetin e përjetshëm ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së”.

“Qytetarët tanë i siguroj se Dialogu do të përfundojë me rezultat të qartë, që i siguron Kosovës njohje nga Serbia dhe anëtarësim në OKB, pa cënuar në asnjë mënyrë sovranitetin shtetëror, integritetin territorial dhe karakterin unitar të shtetit tonë Po ashtu, z. Hale i shpreha qëndrimn tim të vendosur që për asnjë arsye nuk do të lejoj rrezikimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve dhe se veprimet tona të ardhshme do të jenë të koordinuara me SHBA-të”, thuhet në postim.

Nënsekretari amerikan i Shtetit për Çështje Politike, David Hale, të premten ka qëndruar në Beograd. Gjatë takimit me kryeministrin Aleksandar Vuçiq, Hale iu bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të ndalin provokimet dhe të rivendosin dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel. Nga autoritetet në Prishtinë, ai kërkoi heqjen e tarifës prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.

“Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për heqjen e tarifës, ndaljen e provokimeve të dyanshme dhe vazhdim të dialogut. Shtetet e Bashkuara vlerësojnë partneritetin me Serbinë dhe dëshirojnë të ndërtojnë raporte edhe më të fuqishme”, u tha përmes një postimi në Twitter nga ambasada amerikane në Beograd, pas takimit.

Video nga takimi në Beograd

Nënsekretari amerikan për Çështje Politike viziton Beogradin
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:00 0:00

Koalicioni qeverisës në Kosovë nuk po arrin të gjejë ndonjë zgjidhje për ta përmbushur kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për pezullimin e tarifës doganore, si hap i domosdoshëm për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshjen gjithëpërfshirëse brenda vitit 2019, e cila do të përfundojë me njohje reciproke.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG