Liderët e partive politike në pushtet dhe opozitë në Maqedoninë e Veriut, të dielën, pritet të bisedojnë për ndryshimet në Ligjin për Prokurorinë Speciale, me të cilin parashihet që ky organ i akuzës të bëhet pjesë e Prokurorisë së rregullt, me status të veçantë, ndërsa bisedat e përgjuara telefonike, apo “bombat”, siç njihen ndryshe në opinion, të mos mund të përdoren si dëshmi në proceset gjyqësore.
Nëse këto ndryshime miratohen, kreu BDI-së, Ali Ahmeti, dhe ish-kryeministri i arratisur, Nikolla Gruevski, nuk do të mund të ndiqen për rastin e dështimit të regjistrimit të popullsisë në vitin 2014, pasi si prova nuk do të mund të përdoren dëshmitë e siguruara nga biseda e përgjuara telefonike ndërmjet këtyre dy personave për ndërprerjen e regjistrimit. Krahas tyre, do të shpëtojnë edhe Bujar Osmani, zv.kryeministër aktual, për të cilin kishte një procedurë parahetimore për disa furnizime derisa ishte ministër i Shëndetësisë, pastaj ish-ministri i Financave, Zoran Stavreski, ish-ministri tjetër i Shëndetësisë, Nikolla Todorov, ish-deputetja e VMRO-së, Silvana Boneva, e të tjerë.
I pyetur nëse me këtë nismë tenton të shpëtojë partnerin e tij të koalicionit, Ali Ahmeti, kryeministri Zaev ka mohuar një gjë të tillë.
“Dëshmitë ekzistojnë dhe absolutisht në asnjë moment nuk po diskutohet mundësia që dikë të shpëtojmë, dikush të njolloset apo diçka tjerë. Është hartuar një ligj cilësor me ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë dhe besoj se për këtë ligj do të sigurojmë konsensus ashtu siç siguruam edhe në vitin 2015 kur u miratua Ligji për Prokurorinë Speciale, ashtu edhe këtë herë ia vlen të bëjnë përpjekje që të gjithë të qëndrojmë pas këtij organi të akuzës”, ka deklaruar kryeministri Zaev.
Takimi është kërkuar nga opozita, e cila gjithmonë ka kritikuar punën e Prokurorisë duke e cilësuar si “dorë të zgjatur të pushtetit për të ndjekur kundërshtarët politikë”.
Edhe njohësit e çështjeve juridike kanë ngritur zërin kundër ndryshimeve duke kërkuar që të mos shuhen rastet, për të cilat tashmë kanë nisur procedura parahetimore apo hetimore.
Bashkim Selmani, profesor i së Drejtës Ndëshkimore, thotë se ndryshimet duhet të bëhen në drejtim të forcimit të Prokurorisë, por si duket kjo, sipas tij, nuk u përgjigjet partive politike.
“Politika është realisht e interesuar se si do të përfundojnë këto lëndë gjyqësore dhe vetë takimi i liderëve jep dyshimin se ata janë të interesuar që këtë situatë ta kenë nën kontroll. Do të ishte mirë që ky takim përveçse do të krijonte dhe forconte të njëjtin organ të akuzës duke i dhënë legjitimitet akoma më të fuqishëm, por realisht do të duhet që të ketë edhe gjykatë reale, e cila do t’u jepte epilog të drejtë të gjitha këtyre lëndëve”, thotë Selmani.
Ndërkaq, Aleksandar Tortevski, njohës i çështjeve juridike, thotë se praktika e deritashme ka treguar se hapësira për manovrime politike është e madhe dhe se në këtë situatë partitë veprojnë sipas interesave të tyre.
“Unë nuk kam mësuar për pazare politike lidhur me zbatimin e të drejtës penale, por po shoh se kjo është e mundur, kështu që nuk mund ta paramendoj se deri ku mund të shkojnë këto pazare, por mendoj se mundësitë i kanë të pakufizuara".
"Për shembull, mund të ketë pazar të heshtur për zvarritjen e procedurave, të mos ketë paraburgim, të zvarriten lëndët gjyqësore, të vjetrohen lëndët, prandaj them se mundësitë i kanë të pakufizuara dhe nga asgjë më nuk befasohem”, thotë Tortevski duke aluduar në punën e Prokurorisë Speciale, e cila ka nisur shumë procese dhe shumë prej tyre me vite nuk i ka përfunduar.
Prokuroria Speciale është themeluar më 15 shtator të vitit 2015 dhe kishte për obligim ndjekjen e veprave penale, të cilat kanë të bëjnë dhe rezultojnë nga përgjimi i bisedimeve telefonike të regjistruara në mënyrë të paligjshme. Afera e përgjimeve ishte zbuluar nga lideri i atëhershëm i opozitës, Zoran Zaev, tani kryeministër.
Nga bisedimet telefonike janë hapur shumë lëndë gjyqësore për shpërdorim të detyrës apo vepra penale, por deri më tani është gjykuar vetëm ish-kryeministri Nikolla Gruevski, edhe atë për një vepër penale, por edhe ai është arratisur për t’i ikur vuajtjes së dënimit prej dy vjet burg.