Bashkimi Evropian vlerëson se platforma për bisedime me Serbinë e miratuar nga Kuvendi i Kosovës paraqet “pozicionin vetëm të njërës palë”, ka thënë zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq.
“Bashkimi Evropian, si ndërmjetës, nuk i komenton pozicionet individuale të palëve në dialog, por është më se e qartë se vetëm përmes dialogut mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare”, ka deklaruar Kocijançiq.
Ajo paralajmëroi Prishtinën se pa anulimin e tarifës ndaj mallrave serbe nuk mund të ketë klimë për të vazhduar dialogun.
“Tarifa duhet të hiqet, dialogu është e vetmja rrugë përpara”, ka thënë ajo.
Zëdhënësja e BE-së, ka thënë se është në përgjegjësi të shteteve anëtare çështja e njohjes së mundshme të Kosovës dhe se BE-ja po përpiqet për një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për një normalizim të plotë të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që njëherësh do të zgjidhte të gjitha çështjet e hapura ndërmjet dy vendeve.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar të enjten Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë. Ky ligj u miratua me 58 vota për dhe tri abstenime