Ndërlidhjet

Veseli: Të gjitha qeveritë bien, por jo të largohen amerikanët nga Kosova


Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka paralajmëruar se të gjitha qeveritë mund të bien kur janë në pyetje raportet me Shtetet e Bashkuara dhe prezencën amerikane në Kosovë.

I pyetur nga gazetarët lidhur me deklaratat e disa përfaqësuesve institucional se zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar mbylljen e kampit ushtarak amerikan “Bondstill”, Veseli tha se “gjitha qeveritë mund të bien por jo edhe të largohet amerikanët nga Kosova”.

“Gjitha qeveritë ecin para se të ecin amerikanët nga Kosova” tha Veseli gjatë një vizite në Mitrovicë.

Veseli udhëheqë Partinë Demokratike të Kosovës që është pjesë e koalicionit qeverisës i cili ka mospajtime lidhur me taksën ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës, heqjen e të cilës po e kërkojnë tash e sa kohë Shtetet e Bashkuara.

Veseli ka propozuar kohë më parë që taksa të pezullohet për një periudhë 120 ditore, mirëpo kjo po kundërshtohet nga kryeministri Ramush Haradinaj i cili vjen nga partneri tjetër i koalicionit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Haradinaj ka thënë sot në Gjilan se taksa e vendosur do të mbetet derisa të ketë njohje nga ana e Serbisë për Kosovën në kufijtë ekzistues.

“Taksa nuk duhet të shërbejë si kushtëzim dhe se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë brenda kufijve ekzistues është zgjidhja e të gjitha problemeve”.

Për raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara ka folur sot edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në opozitë, Isa Mustafa. Ai tha se vendi ka probleme të mëdha me partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

“Kemi probleme të mëdha me partneritetin me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kurrë Kosova nuk ka qenë në situatë më të rëndë të partneritetit me ata që kanë ndihmuar nëçlirimin dhe ndërtimin e këtij vendi. Ky është problem i papërgjegjësisë të institucioneve të vendit dhe të koalicionit qeverisës”, tha Mustafa.

Mustafa tha se koalicioni qeverisës duhet të marrë vendim që të shpërbëjë Kuvendin dhe të shkojë në zgjedhje

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po i bëjnë thirrje institucioneve të Kosovës të shfuqizojnë ose pezullojnë taksën ndaj mallrave serbe në mënyrë që t’i hapet rruga vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili, sipas Brukselit dhe Uashingtonit duhet të përmbyllet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes dyja vendeve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG