Ndërlidhjet

Limaj: Taksa, e ndarë nga dialogu


Fatmir Limaj
Fatmir Limaj

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, i cili është edhe bashkë-kryesues i delegacionit shtetëror në dialogun me Serbinë, tha se taksa 100 për qind e vendosur për mallrat me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, është e ndarë nga procesi i dialogut.

Limaj këto komente i ka dhënë pas takimit të ekipit negociator për bisedimet me Serbinë me ambasadorët në Kosovë.

“Në delegacion shtetëror nuk diskutohet për taksën, nuk është detyrë e ekipit negociator. Delegacioni shtetëror e ka mandat dialogun, kurse taksa është aktivitet i përditshëm i qeverisë së Kosovës”, tha Limaj.

Takimin me ambasadorët Limaj e ka quajtur takim informues, derisa tregoi se ata kanë ri-konfirmuar mbështetjen për delegacionin shtetëror.

“Është vlerësuar lartë puna dhe angazhimi ynë rreth platformës. E dinë që është vullnet i yni dhe do të shkojë në Parlament dhe u takon deputetëve pastaj të vendosin. Kemi marrë vlerësim për punën e delegacionit nga ambasadorët”, tha Limaj para gazetarëve.

Në takim të pranishëm kanë qenë edhe shefja e zyrës së BE-së Nataliya Apostollova, dhe ajo e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou.

Dy partitë më të mëdha opozitare Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kishin refuzuar të përfshihen në hartimin e platformës për dialogun me Serbinë, duke e konsideruar jolegjitim dhe që nuk përfaqëson shumicën parlamentare të Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se dialogu nuk vazhdon pa u hequr taksa të cilën Qeveria e Kosovës e vendosi në fund të vitit 2018, ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Edhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë bërë të qartë se vazhdimi i dialogut ndërlidhet me pezullimin e tarifës doganore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG