Ndërlidhjet

Daçiq: Do ta kundërshtojmë sërish aplikimin e Kosovës në Interpol


Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq

Ministri i punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se Kosova sërish ka kandiduar për të qenë anëtare e Interpolit, dhe se është e mundur të aplikojë edhe për anëtarësim në UNESCO.

Mirëpo Daçiq tha se Serbia “po përgatitet për këtë luftë dhe se Kosova sërish do të humb”.

“Nuk e kuptoj nevojën e Kosovës për akte të tilla vetëvrasëse. Do të humbasë me një rezultat edhe më të keq” tha Daçiq pas takimit me ministrin e Jashtëm të Burundit, Ezechiel Nibigira.

Përndryshe, tentativat e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, datojnë që nga viti 2010, por atë kohë, Komiteti Ekzekutiv nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare.

Ndërkaq më 2015 dhe 2016, Kosova kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme. Në vitin 2017, Kosova tërhoqi vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme.

Në nëntor të vitit të kaluar Kosova nuk arriti të bëhet vend anëtar i Agjencisë Ndërkombëtare e Policisë, pasi që nuk mori shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që u mbajt në Dubai.

“Fushata e egër e Republikës së Serbisë dëshmoi edhe njëherë karakterin e saj kundër Kosovës dhe kundër idesë për normalizim të raporteve me Republikën e Kosovës, aq më parë, kur ky anëtarësim ishte teknik dhe jo politik”, u tha në reagimin e Qeverisë menjëherë pas procesit të votimit në Asamblenë e Interpolit.

Qeveria e Kosovës disa ditë më pas, tha se si kundërpërgjigje ndaj veprimeve të Serbisë do të vendosë masën tarifore ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës.

Për një kohë të shkurtër kjo masë u ngrit nga 20 në 100 përqind.

Autoritetet e Serbisë u tërhoqën nga bisedimet për normalizimin e raporteve me Kosovës që ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian. Ata kërkojnë shfuqizimin e tarifës në mënyrë që t’i kthehen dialogut.

SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar në vazhdimësi nga autoritetet në Prishtinë të shfuqizojnë ose pezullojnë tarifën në mënyrë që të vazhdojë dialogu.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG