Ka tre muaj që kur Kosova vendosi taksë doganore 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Nga ajo kohë, importi nga këto vende ka rënë tërësisht, por në tregun e Kosovës nuk vërehet mungesë e produkteve nga Serbia.
Përfaqësues të bizneseve thonë se derisa nuk ka import nga Serbia, por ka prodhime të këtij vendi në tregun e Kosovës, dyshohet se mallrat nga atje në tregun e Kosovës, po hyjnë në forma alternative apo përmes kontrabandës. Por, zyrtarë të Doganave të Kosovës e mohojnë një gjë të tillë.
Serbia, e cila para vendosjes së taksës në ditë ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milion euro, tani, sipas të dhënave të Doganave të Kosovës mesatarisht eksporton mallra në vlerë prej rreth 8 mijë euro.
Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci thotë për Radion Evropa e Lirë se ka pasur disa raste të tentimit të kontrabandës, por që si të tilla janë ndaluar nga zyrtarët doganor.
Sipas tij, përgjatë këtyre tre muajve nuk ka pasur rritje të kontrabandës as në veri të vendit dhe as pjesët tjera të Kosovës.
Në rajonin e Mitrovicës, shton Stavileci, brenda janarit të këtij viti janë evidentuar 8 raste të tentim kontrabande me mallra të ndryshme.
“Nëse merret një krahasim në mes të kundërvajtjeve të muajit janar 2018 dhe kundërvajtjeve të janarit të vitit 2019 ne vërejmë se ky numër nuk ka lëvizje. Nëse në janar të vitit 2018 kemi pasur 69 kundërvajtje apo tentime për të kontrabanduar mallra, në vitin 2019 kemi 67. Pra, nuk kemi vërejtur rritje”, thotë ai.
Stavileci shton se pas vendosjes së taksës 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, Dogana e Kosovës ka marrë të gjitha masat që të parandalojë rastet e kontrabandës.
Ministri i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikimit në Qeverinë e Serbisë, Rasim Lajiq, ka deklaruar të mërkurën se mallrat nga Serbia mund të hasen në gjithë Kosovën dhe se ato po arrijnë përmes rrugëve alternative.
Ai ka rikujtuar se zyrtarët në Serbi kishin tërhequr vërejtjen për rritjen e kontrabandës menjëherë pasi që Prishtina zyrtare kishte vendosur masën e tarifës doganore 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina.
Lajiq ka thënë për Radio Televizionin e Serbisë, se nëse shikohet në veri apo në jug të Kosovës, gjithkund mund të hasen mallrat nga Serbia të cilat mbërrijnë atje përmes rrugëve të ndryshme.
Shitësit lokalë në Mitrovicën Veriore thonë se në Kosovë vazhdon të ketë mallra të Serbisë dhe se ata kryesisht furnizohen në tregjet lokale me shumicë.
“Unë siguroj mallin te këto tregjet me shumicë. Janë të furnizuara mirë. Ata e sigurojnë mallin nga Serbia, nuk e di në çfarë mënyre, por mall ka dhe ka edhe rezerva”, tha njëri nga pronarët e një shitoreje në Mitrovicën Veriore, i cili kërkoi të mbetej anonim.
“Mallin e marr në Mitrovicë, nëpër depo. Njerëzit e tjerë gjinden dhe e sjellin nga Serbia. Se si dhe çfarë, më beso, unë nuk dua të hyj në këtë, por aktualisht ka mall. Tash për tash funksionon gjithçka normalisht”, tha një shitës tjetër.
“Aktualisht mallin e sigurojmë nga Serbia Qendrore. Po gjendemi, me vështirësi, por duhet të jetohet dhe duhet të vazhdohet me punën. Rezerva më nuk ka, janë shpenzuar të gjitha. Është situatë mjaft e vështirë sa i përket furnizimeve dhe e kemi mjaft rëndë”, theksoi pronari i një shitoreje.
Në tregjet lokale me shumicë në Mitrovicë Veriore nuk kanë dashur që të japin deklarata lidhur me atë se si e importojnë mallin nga Serbia.
Policia e Kosovës, përmes një përgjigje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë lidhur me rastet e kontrabandës që nga vendosja e taksës 100 për qind është përgjigjur “se në kuadër te Menaxhimit te Integruar te Kufirit, së bashku me agjencionet tjera, parandalon dhe lufton krimin ndërkufitarë në të gjithë kufijtë e Kosovës".
Policia e Kosovës bën të ditur se ka "rezultate te dukshme ne parandalimin dhe luftimin e krimit ndërkufitare”.
Aleanca Kosovare e Biznesit e cila ka bërë monitorimin e tregut në Kosovë që nga vendosja e taksës 100 për qind thonë të kenë parë që në tregun e Kosovës ka mjaftueshëm produkte të Serbisë, e që sipas Agim Shahinit kryetar i kësaj shoqate, janë futur në mënyrë të kontrabanduar.
“Sipas një hulumtimi që jemi duke e bërë, një numër i këtyre produkteve serbe që janë në tregun e Kosovës kanë qenë në stoqe dhe një pjesë tjetër është kontrabandë. Nuk mund të dimë saktë sa është kontrabanda në këtë kohë, por mund të themi se ka pasur rritje. Nëse kontrabanda dhe ekonomia joformale ka qenë 30 për qind tani mund të themi se është rritur 40 për qind. Produktet serbe janë duke u futur në forma ilegale nëpër pika të ndryshme jodoganore e që Doganat e Kosovës dhe Policia nuk mund t’i kontrollojnë të gjitha ato vendkalime, e për këtë e dinë edhe institucionet e shtetit, por bëhet sikur nuk e shohin”, thotë Shahini.
Përderisa institucionet e vendit, shton Shahini, nuk mund të kontrollojnë tërë brezin kufitar me Serbinë, në tregun e Kosovës do të ketë mallra serbe në vend.
Pas vendosjes së taksës, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës kishte lëshuar një udhëzim administrativ i cili obligon të gjitha subjektet afariste në Kosovë vendosjen e flamujve nëpër dyqane, për të treguar vendin e origjinës së produkteve që i kanë në shitje.
Ky vendim ka filluar të zbatohet, por që zëvendësministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Arbëresha Krasniqi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ka pasur raste te disa subjekte afariste kanë vendosur flamuj të vendeve të tjera te një produkt të një shteti tjetër.
“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në vazhdimësi e ka përcjell situatën ka disa raste që janë vërejtur kur ka pasur ndryshim të flamujve. Janë vërejtur disa raste që janë evidentuar nga Inspektorati. Nëse nuk ka zbatimi të këtij udhëzimi administrativ ka edhe dënime. Do të ketë raste kur do të gjobiten”, thotë Krasniqi.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën doganore 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina është në fuqi që nga 21 nëntor i vitit të kaluar.
Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Kosovës që ta heqë këtë masë, duke thënë se ajo nuk përkon me interesat amerikane.
Por, Qeveria e Kosovës, të paktën deri më tani, nuk është zmbrapsur nga vendimi për tarifën 100 për qind, i cili vazhdon të mbetet në fuqi.