Ndërlidhjet

Engel: Kosova duhet të fitojë diçka në këmbim të detyrave që i kryen


Eliot Engel
Eliot Engel

Kongresisti amerikan, Eliot Engel, tha se Kosova duhet të marrë diçka në këmbim të detyrave që i kërkohet të kryejë.

Duke folur për gazetarët në Bruksel, Engel kujtoi ratifikimin e demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi, pas së cilës gjë Bashkimi Evropian i ka premtuar liberalizimin e vizave me vendet e BE-së.

"Kjo gjë (v.j. liberalizimi i vizave) nuk ka ndodhur ende dhe është frustruese", tha Engel.

Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi qysh në mars të vitit të kaluar.

"Po qe se Kosova e sheh se nëse përgjigjet pozitivisht, fiton diçka pozitive, atëherë nuk do të kishte problem. Problemi ekziston se ata po e shohin se nuk fitojnë asgjë", tha Engel.

Komentet vijnë pas presionit të shtuar amerikan mbi Kosovën që të tërheqë taksën 100% që u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përsëritur në disa raste se taksa do të mbetet në fuqi derisa Serbia ta njohë Kosovën.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se taksa është kundër interesave amerikanë, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ngulur këmbë se nuk do të vazhdojë dialogun për normalizim marrëdhëniesh me Kosovën, derisa të mos hiqet taksa.

Engel tha se edhe Qeveria e Serbisë duhet të ndryshojë qëndrim dhe të mos vazhdojë mbajtjen e Kosovës jashtë organizatave ndërkombëtare, si UNESCO dhe INTERPOL, si dhe të mos përpiqet t'i bindë shtetet për të tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Engel tha se shpreson se udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë do të dalin me një plan për ecjen përpara dhe për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG