Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini konfirmoi se është e gatshme të organizojë takime maratonike në nivel të presidentëve, në mënyrë që të arrihet marrëveshja për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Megjithatë, ajo tha se tash për tash, nuk ekzistojnë kushte për të thirrur një takim të ri.
Sipas Mogherinit, duhet të ketë “pezullim ose heqje të tarifës ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës” nga ana e Kosovës, në mënyrë që të krijohen kushtet për një takim të ri ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq.
“Në momentin që krijohen kushtet, jo vetëm që jam e gatshme që mengjesin e ardhshëm të organizoj takimin, por edhe të mbyllemi për aq kohë sa nevojitet: shtatë ditë, një apo tre muaj” ka thënë Mogherini.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, tha se të gjithë duhet të përdorin një atmosferë pozitive në mënyrë që të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse, ligjërisht e obligueshme, për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Megjithatë, Mogherini tha se nuk po sheh “ndërmarrjen e veprimeve që çojnë në këtë drejtim”.
Në takimin e së hënës ndërmjet ministrave të Jashtëm të BE-së me shefen e diplomacisë evropiane Federica Mogherini, nuk është diskutuar për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Komentet Mogherini i bëri pas pyetjes së gazetarëve në konferencën për media pas takimit.
Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është ndërprerë për shkak të tarifës së vendosur nga ana e autoriteteve në Prishtinë ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës.
BE-ja dhe SHBA-ja ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të pezullojë tarifën mirëpo një gjë e tillë po kundërshtohet nga kryeministri, Ramush Haradinaj.
Ai kërkon që paraprakisht Serbia ta njohë Kosovës dhe për tarifën të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.