Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se do të shpallë gjendjen e emergjencës kombëtare, duke shfrytëzuar kështu fuqitë e tij ekzekutive për të ndërtuar murin me Meksikën.
“Ne do të nënshkrujmë sot gjendjen e emergjencës kombëtare dhe kjo do të jetë gjë e mrekullueshme”, ka thënë Trump gjatë një njoftimi para Shtëpisë së Bardhë.
Megjithatë ai ka thënë se do të nëshkruajë projekligjin për shmangie të mbylljes së Qeverisë amerikane, e cila ishte mbyllur një muaj më parë pas shpërfaqjes së pakënaqësive nga demokratë dhe një pjesë e republikanëve për ndërtimin e murit SHBA-Meksikë.
Trump i ka kërkuar Kongresit që të financojë premtimin e tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, për ndërtim të murit me Meksikën, mirëpo ligjvënësit kanë kundërshtuar ofrimin e shumës prej 5.7 miliardë dollarëve.
Trump ka parashikuar se luftimi i kësaj mase me siguri do të përfundojë në Gjykatën Supreme.
Vendimi për emergjencë kombëtare, nëse nuk bllokohet nga gjykatat dhe Kongresi, do t’i lejojë Trumpit që të marrë fonde për ndërtim të murit, të cilat ligjvënësit i kanë miratuar për qëllime tjera.