Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka shkruar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, letër për Ditën e shtetësisë së Serbisë, ku mes tjerash ka kërkuar njohje të ndërsjellë në kuadër të procesit të dialogut me Kosovën.
“Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në përkrahjen ndaj angazhimit tuaj për të thelluar bashkëpunimin rajonal dhe në veçanti për përpjekjet tuaja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, thuhet në letrën, të cilën e ka publikuar presidenti Vuçiq, në faqën zyrtare.
Trump ka kërkuar nga palët, Kosova dhe Serbia, që të angazhohen për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve.
“Ne besojmë që njohja e ndërsjellë duhet të jetë elementi qendror i një normalizimi të qëndrueshëm të marrëdhënieve. Një marrëveshje e tillë historike, me njohjen e ndërsjellë në thelbin e saj, do të ndërtonte rrugën që ka si qëllim integrimin evropian të Serbisë dhe rritjen ekonomike ", thuhet në letrën e presidentit Trump.
Ndryshe, Trump ka përgëzuar Vuçiqin dhe popullin serb për Ditën e shtetësisë.