Ndërlidhjet

Stoltenberg: Po shqyrtojmë shkallën e bashkëpunimit me Kosovën, por misioni i KFOR-it nuk ndryshon


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë të enjten se, NATO-ja është duke shqyrtuar shkallën e bashkëpunimit me Kosovën për shkak të tarifës prej 100 për qind, që Qeveria e Kosovës u ka vënë importeve të Serbisë dhe Bosnjës.

Sa i përket tarifës prej 100 për qind, që Qeveria e Kosovës ka vënë në produktet e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, Stoltenberg ka thënë se kjo masë “e ka bërë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë edhe më të vështirë dhe është duke kthyer procesin në rrugë të gabuar.

“Ky është qëndrimi im ashtu sikurse edhe i shumë aleatëve të NATO-s. Shtetet e Bashkuara kanë qenë shumë të qarta sa i përket tarifës shumë të lartë që tashmë është vënë në produktet e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës. Kjo është arsyeja se pse ne tani kemi vendosur që të shqyrtojmë shkallën e bashkëpunimit tonë me Kosovën. Mirëpo ashtu siç kam deklaruar edhe më parë, kjo nuk ka të bëjë me KFOR-in, KFOR-i do të vazhdojë ashtu siç është paraparë me mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, andaj ne do të shqyrtojmë përkrahjen dhe karakterin e bashkëpunimit të NATO-s jashtë KFOR-it”, ka thënë ai.

Stoltenberg po ashtu ka thënë se aleanca duhet mbështetur dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, që zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel.

Kreu i NATO-s ka përmendur se pas transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, NATO-ja është duke rishikuar shkallën e bashkëpunimit me këtë Forcë.

Ai ka thënë se diskutimet për këtë çështje janë duke vazhduar dhe se vendimi do të merret më së largu në fillim të pranverës.

“Jemi në kontakt të ngushtë me autoritetet në Prishtinë gjatë gjithë procesit. Unë kam treguar në të dyja takimet me kryeministrin (Ramush) Hararadinaj dhe presidentin (Hashim) Thaçi se vendimi për transformimin e FSK-së në ushtri është marrë në kohë të papërshtatshme. Unë jam deklaruar disa herë publikisht dhe ky është mendimi im”, është shprehur ai.

Stoltenberg ka theksuar se ekziston marrëveshja e vitit 2013, sipas së cilës Kosova zotohet se nuk do të dërgojë forca të FSK-së në veri të Kosovës pa pajtimin e KFOR-it.

“Sa i përket veriut, kjo gjë është bërë e qartë përmes një marrëveshjeje më 2013 dhe presim që ajo të vazhdojë. Kjo është ajo pse ne kemi dhënë një mesazh aq të qartë pse autoritetet në Prishtinë duhet të respektojmë marrëveshjet që i kemi bërë bashkë me ata”, ka deklaruar ai.

Marrëveshja që ka përmendur Stoltenberg thuhet se është arritur përmes një këmbimi letrash më 2013 ndërmjet sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen dhe atëbotë kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Kreu i aleancës veri-atlantike ka thënë gjatë konferencës për media në Bruksel, se misioni i KFOR-it në Kosovë vazhdon të jetë i pandryshuar, bazuar në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Ne jemi aty për të siguruar ambient të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë dhe ajo është çfarë jemi duke bërë tani”, ka shtuar Stoltenberg.

Aleanca Veriatlantike pati shprehur skepticizëm në kohën kur është tranformuar FSK në ushtri, duke thënë se një gjë e tillë po ndodhë në kohë të papërshtatshme, derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë miratuar votën për këtë proces.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar më 14 dhjetor të vitit të kaluar ligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.

Kësaj force është thënë se do t’i nevojitet një periudhë kohore prej 10 vjetësh për t’u transformuar në ushtri me kapacitete të plota.

FSK-ja aktualisht ka 2,500 pjesëtarë të rregullt dhe 800 rezervistë. Ky numër pritet të dyfishohet pas ndërrimit të mandatit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG