Ndërlidhjet

Platforma për dialogun nuk përfshin korrigjimin e kufijve


Bashkëkryesuesit e Ekipit negociator, Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj gjatë një takimi me presidentin, Hashim Thaçi. Fotografi nga arkivi.
Bashkëkryesuesit e Ekipit negociator, Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj gjatë një takimi me presidentin, Hashim Thaçi. Fotografi nga arkivi.

Ekipi negociator i Kosovës i ka dorëzuar draft-platformën për bisedimet me Serbinë krerëve të shtetit dhe është zotuar se së shpejti do ta paraqesë atë edhe para Kuvendit.

Platforma e Kosovës për bisedimet me Serbinë, u tha se do të jetë shtylla kryesore ku do të bazohet i tërë procesi i bisedimeve ndërmjet dy shteteve.

Shpend Ahmeti, njëri nga bashkëkryesuesit e Ekipit negociator, tha se platforma do rishikohet fjalë për fjalë para dorëzimit në Kuvend, pasi që si e tillë ajo do të lexohet nga të gjitha palët në dialog.

“Mund të jetë që na duhet kohë, por nuk do ta dërgojmë pa e finalizuar tekstin fjalë për fjalë. Nuk ka befasi, mbesim besnik ndaj Kushtetutës ashtu siç e kemi mandatin dhe qëllimi kryesor është njohja e ndërsjellë”, thotë Ahmeti.

I pyetur nga gazetarët se a do të përfshihet në platformë çështja e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, Ahmeti theksoi se as nuk është përmendur në takim kjo dhe se as nuk do të përfshihet në platformë.

“Absolutisht jo as nuk është përmendur në takim dhe as nuk do të përfshihet në platformë”, tha Ahmeti.

Sidoqoftë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në një nga deklarimet e tij publike ka theksuar se një nga pikat e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për paqe në mes të Kosovës dhe Serbisë do të jetë edhe përcaktimi i kufirit.

“Një nga pikat do të jetë edhe demarkimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo është mundësi për të korrigjuar kufirin edhe në veri të Kosovës, edhe në jug të Serbisë”, pati thënë presidenti Thaçi.

Autoritetet në Kosovës në vazhdimësi janë deklaruar se rezultati i dialogut duhet të jetë njohja e Kosovës nga Serbia, si një lloj parakushti që i mundëson Kosovës më pas anëtarësimin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe përshpejtim në anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Në kohën kur autoritetet ndërkombëtare kanë shtuar trysninë mbi Prishtinën dhe Beogradin që të arrijnë deri te një marrëveshje për normalizimin e raporteve, në Kosovë mbetet sfidë arritja fillimisht e një konsensusi të brendshëm politik.

Dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, në vazhdimësi kanë refuzuar që të jenë pjesë e takimeve të cilat ka zhvilluar Ekipi negociator për dialogun me Serbinë.

Sipas LDK-së Qeveria aktuale nuk ka legjitimitet për të udhëhequr procese, siç është dialogu, prandaj kjo parti kërkon që ky proces të vazhdojë pas zgjedhjeve të reja, ku do të zgjidheshin institucionet e reja.

Lidhja Demokratike e Kosovës ndërkohë ka publikuar orientimet e saj bazë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Përmes këtij dokumenti, LDK thotë se përkrah dialogun për njohje reciproke ndërmjet dy vendeve.

“Siç është paraparë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, territori i Republikës së Kosovës është një dhe i pandashëm dhe asnjë institucion nuk ka mandat të negociojë për territorin e Republikës së Kosovës dhe as për sovranitetin dhe integritetin territorial”, thuhet në këtë dokument të LDK-së.

LDK e sheh si të rëndësishme përkrahjen e Shteteve të Bashkuara në procesin e dialogut, andaj kërkon përfshirjen e saj, krahas Bashkimit Evropian, edhe për zbatimin e marrëveshjeve tashmë të arritura.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i këtij procesi, ka kërkuar nga të dyja palët që të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, e cila do t’u hapte rrugë të dyja shteteve në perspektivën evropiane.

Por, që kur Kosova ka vendosur taksën 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia, kjo e fundit është tërhequr nga bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk do të ketë bisedime pa heqjen e taksës. Derisa, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se taksa do të mbetet në fuqi derisa Serbia ta njohë Kosovën.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se taksa është në kundërshtim me interesat amerikane.

Thirrje për heqjen e saj kanë bërë edhe zyrtarët e Bashkimit Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG