Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar të mërkurën me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip S. Kosnett, me të cilin ka biseduar për tema të ndryshme, me theks të veçantë për partneritetin mes dy vendeve dhe dialogun e Kosovës me Serbinë.
Siç është thënë në një komunikatë për media, Thaçi dhe ambasadori Kosnett janë pajtuar që vitale është të largohen të gjitha pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë, në mënyrë që t’i hapet rrugë arritjes së një marrëveshjeje paqësore.
“Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndajnë vlera, parime dhe synime të përbashkëta. Në këtë rast, synimi ynë i përbashkët është të ndërtojmë paqe e stabilitet të qëndrueshëm në Kosovë dhe në rajon, si parakusht për zhvillim e prosperitet të vendit tonë. Çelës për paqen është arritja e një marrëveshjeje paqësore, gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur Thaçi.
Sipas tij, miqësia me SHBA-në është e përhershme dhe “jetësore” për Kosovën.
“Partneriteti dhe miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është jetësor për Kosovën. Kosova ka arritur kaq larg falë përkrahjes së gjithanshme të Shteteve të Bashkuara”, ka deklaruar presidenti Thaçi.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kërkojnë që Kosova të pezullojë taksën prej 100 për qind në importet e Serbisë dhe Bosnjës, meqë kjo masë ka bllokuar vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel.
Sipas Qeverisë amerikane, vendimi për mospezullim të taksës përbën qëndrim kundër interesave të SHBA-së.
SHBA: E pabesueshme që Kosova po injoron këshillën tonë për taksën
Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj po insiston se taksa do të jetë në fuqi derisa Serbia të njohë shtetësinë e Kosovës.
Taksa është kundërshtuar edhe nga autoritetet e Serbisë, ndërsa presidenti i këtij shteti, Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk do të ketë dialog në Bruksel, derisa taksa doganore të jetë në fuqi.