Tregu i mallrave në Kosovë, që nga vendosja e taksës 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, ka pësuar ndryshime. Produktet e këtyre vendeve janë zëvendësuar me produktet vendore, ato nga Shqipëria, Maqedonia dhe nga disa vende të Bashkimit Evropian.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën doganore ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina fillimisht 10 për qind e më pas 100 për qind, është në fuqi që nga muaji nëntor i vitit të kaluar.
Zëdhënësi i Doganave të Kosovës Adriatik Stavileci, thotë për Radion Evropa e Lirë se që nga vendosja e kësaj takse, ka pasur lëvizje të importeve të produkteve nga vendet tjera.
“Që nga vendosja e taksës 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, ka pasur lëvizje të importit nga vendet tjera. Kryesisht në këtë lëvizje prin Shqipëria me rritje të importit prej 40 për qind, po ashtu ka rritje të produkteve me origjinë nga Maqedonia me 15 për qind. Nga vendet e Bashkimit Evropian është Gjermania, pastaj vendet si Sllovenia, Kroacia. Së fundit kemi pasur rritje të importit edhe nga Bullgaria dhe Italia”, thotë Stavileci.
Para vendosjes së takës doganore 100 për qind, Serbia ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë.
Ky shtet në ditë ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milion euro, derisa tani, sipas të Stavilecit, në ditë mesatarisht eksporton mallra në vlerë prej rreth 8 mijë euro.
“Tani kemi rënie të importit nga Serbia për 99 për qind. Ka raste kur në ditë kemi zero import të produkteve nga ky shtet. Nëse më herët kemi pasur 1.2 milion euro në ditë produkte të importuara nga Serbia, tani mesatarisht janë 7 deri në 8 mijë euro. Importi nga Serbia është kryesisht lëndë e parë dhe një pjesë e vogël e produkteve që paguajnë taksën 100 për qind”, tha Stavileci.
Përfaqësues të bizneseve thonë se tanimë bizneset tregtare në Kosovë kanë gjetur alternativa tjera të zëvendësimit të produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tha se kanë monitoruar tregun dhe furnizimin që nga vendosja e taksës dhe se janë parë ndryshime të mëdha në treg.
“Bizneset në muajin e parë kanë pasur vështirësi që të gjejnë zëvendësimet, në veçanti në sektorin e prodhimit, por edhe disa tregtarë të cilët e kanë pasur biznesin e tyre të orientuar në Serbi. Por, që tani këto produkte dhe lëndë të parë janë zëvendësuar”.
“Fillimisht ka pasur hezitim se kjo taksë nuk do të vazhdojë dhe ka pasur raste kur disa biznese e kanë ndalur prodhimin duke menduar se taksa do të hiqet, por deklaratat e kryeministrit (të Kosovës, Ramush Haradinaj) se taksa nuk do të hiqet deri në njohjen e Serbisë nga Kosova, i ka siguruar bizneset se kjo ka një afat të gjatë dhe se kjo taksë nuk do të hiqet dhe duhet të gjenden alternativa të tjera. Vendi i parë ku bizneset kanë kërkuar alternativa është Shqipëria. Vlen të theksohet se vitit i 2018 për herë të parë ka regjistruar shkëmbime tregtare me Shqipërinë në vlerë prej rreth 270 milionë”, thekson Shahini.
Vendosja e taksës 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia, përveç efekteve ekonomike-tregtare, ka edhe efekte politike. Ajo po shihet si pengesë për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se bisedimet nuk do të vazhdojnë pa u hequr taksa.
Derisa, Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Kosovës që ta heqë këtë masë, duke thënë se ajo nuk përkon me interesat amerikane.
Por, Qeveria e Kosovës, të paktën deri më tani, nuk është zmbrapsur nga vendimi për tarifën 100 për qind, i cili vazhdon të mbetet në fuqi.