Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë bëri të ditur se janë raportuar katër raste me virusin AH1N1 në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Në komunikatën e lëshuar për media thuhet se ndonëse ka raste të raportuara të gripit, asnjëri nuk e kalon pragun epidemik.
"Nga 1 tetori 2018 deri sot, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 24,725 raste të dyshimta me grip, 4,155 raste me infeksione respiratore akute dhe 29 raste me infeksione të rënda respiratore akute".
"Deri sot nga Klinika Infektive janë raportuar katër raste exitus të konfirmuara me influencë AH1N1. Pacientët kanë pasur sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator dhe nuk kanë qenë të vaksinuar me vaksinën e gripit sezonal", thuhet në komunikatë.
AH1N1 është një lloj më i komplikuar i gripit, që njihet edhe si grip i derrave.
Instituti ka dhënë rekomandime që qytetarët të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambiente të ftohta, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve dhe të përdorin sa më shumë lëngje të nxehta dhe vitamina.