Ndërlidhjet

Nis heqja e mbishkrimeve me emrin Maqedoni


Në ndërtesën e Qeverisë është hequr mbishkrimi “Republika e Maqedonisë” dhe pritet të zëvendësohet me mbishkrimin "Republika e Maqedonisë së Veriut".
Në ndërtesën e Qeverisë është hequr mbishkrimi “Republika e Maqedonisë” dhe pritet të zëvendësohet me mbishkrimin "Republika e Maqedonisë së Veriut".

Maqedonia e Veriut dhe Greqia nga e hëna kanë nisur me zbatimin e Marrëveshjes së Prespës.

Tabela e parë me emrin e ri Republika e Maqedonisë së Veriut ka mbërritur në vendkalimin kufitar Bogorodica me Greqinë. Edhe nga ndërtesa e ekzekutivit është larguar mbishkrimi Qeveria e Republikës së Maqedonisë për t’u zëvendësuar me emrin, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Mbishkrimi do të jetë edhe në gjuhën shqipe. Veç kësaj, para Qeverisë tani do të qëndrojë edhe flamuri i NATO-s.

Nga Qeveria ende nuk japin detaje se në cilat institucione tjera do të ndërrohen tabelat, të cilat po ashtu do të jenë në dy gjuhë. Jozyrtarisht siç bëhet e ditur, Kuvendi, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes pritet të jenë të parat që do të zbatojnë detyrimet nga Marrëveshja e Prespës.

Sipas paralajmërimeve nga Qeveria, gjatë ditës së martë, ndryshimet kushtetuese do të shpallen në Gazetën Zyrtare që edhe zyrtarisht do të hyjë në fuqi emri i ri i shtetit, Republika e Maqedonisë së Veriut.

Në bazë të këtij dokumenti, me të cilët u zgjidh kontesti 27-vjeçar i emrit, brenda një jave të gjitha institucionet shtetërore, përfaqësitë diplomatike dhe vendkalimet kufitare duhet të vendosin tabela të reja në tri gjuhë, maqedonisht, shqip dhe anglisht.

Ndërkohë dy vendet kanë shkëmbyer notat për ratifikimin e marrëveshjes pas çka Maqedonia e Veriut dhe Greqia do të njoftojnë organizatat ndërkombëtare për ndërrimin e emrit.

“Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Greqia do të dërgojnë një letër të përbashkët deri te Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, me të cilën do ta informojnë kreun e saj Antonio Guteres me datën e hyrjes në fuqi të marrëveshjes, me çka i jepet fund kontestit prej disa dekadave të emrit mes dy vendeve”, thuhet në një njoftim me shkrim të Ministrisë së Jashtme.

Emri i ri do të kërkohet që të përdoret edhe nga më shumë se 130 shtete të cilat e kanë njohur shtetin me emrin e deritanishëm, Republika e Maqedonisë.

Qeveria ka formuar edhe një grup ekspertësh që duhet të hartojë një plan aksional për zbatimin e detyrimeve nga marrëveshja, por procesi do të marrë kohë.

Në bazë të marrëveshjes, ndërrimi i dokumenteve të identifikimit, i letërnjoftimeve dhe pasaportave do të zgjasë pesë vjet nga dita e hyrjes në fuqi të marrëveshjes.

Njohësit e çështjeve ndërkombëtare nuk presin të ketë probleme në zbatimin e dokumentit, në veçanti sa i përket anëtarësimit në NATO. Vështirësi sipas Llazar Llazarovit mund të ketë në procesin e integrimit evropian, në pjesë e zbatimit të ligjeve.

“Ne deklarativisht i zbatojmë reformat, miratojmë edhe ligjet e gjithçka tjetër, por në praktikë këto shumë vështirë zbatohen. Kë shumë punë për të bërë, janë kapituj të tërë për të cilat duhet në detaje të bisedohet dhe të harmonizohen, por edhe të zbatohen, si në pjesën e gjyqësisë, prokurorisë apo sundimin e ligjit, lirinë e shprehjes, të drejtat e njeriut, administratë e kështu me radhë”, thotë Llazarov.

Sa i përket palës greke, ai çështjen e NATO-s e konsideron të mbyllur ndërsa lidhur me integrimin në BE dhe kërcënimet e opozitës greke se do të bllokojë Maqedoninë e Veriut në çështjen e kapitujve, Llazarov thotë se tentime mund të ketë, por ato sipas tij më shumë kanë të bëjnë me fitimin e pikëve politike nga opozita se sa që mund të jenë reale.

“Lideri i opozitës greke, Kyriakos Mitsotakis, ka paralajmëruar se do të pengojë këtë proces të NATO-s nuk besoj pasi është çështje e kryer, por në çështjen e integrimit evropian mund të bëjë probleme, se do të vendosë kushte në të gjitha 35 kapitujt për të cilat do të hapen bisedime. Por, edhe këtu nuk besoj e do t’ia arrijë qëllimit, i cili më tepër ka të bëjë forcimin e pozitës së tij për të fituar në zgjedhje se sa për të bllokuar Maqedoninë. Sikur edhe të fitojë në zgjedhje, ai nuk do të mund të bllokojë procesin integrues pasi është një çështje pas të cilës qëndrojnë fuqitë e mëdha si BE-ja, SHBA-të dhe NATO-ja”, thotë Llazar Llazarov, njohës i çështjeve ndërkombëtare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG