Ndërlidhjet

A po përfitojnë kundërligjshëm institucionet mikrofinanciare?


Ilustrim
Ilustrim

Institucionet mikrofinanciare (IMF) në Kosovë janë të regjistruara si Organizata joqeveritare (OJQ). Sipas Ligjit për OJQ-të, ato kanë mision bamirës. Por, jo rrallë dyshohet në këtë mision, duke i cilësuar ato se po përfitojnë në mënyrë të paligjshme.

Në një nga seancat e Kuvendit të Kosovës, disa deputetë kanë kërkuar që institucioneve mikrofinanciare që veprojnë si OJQ, të mos iu lejohet që të funksionojnë në mënyrën, formën siç kanë vepruar deri më tani.

Sipas deputetëve që ngritën shqetësime lidhur me këtë çështje, shumë nga këto institucione kanë përfituar duke lëshuar kredi me kamata të larta dhe duke mos paguar tatime për shtetin.

Edhe eksperti i çështjeve ekonomike, Muhamet Mustafa, në një postim të tij në Facebook, kishte theksuar se ‘institucionet mikrofinanciare, të cilat janë të regjistruara si OJQ, gjatë gjithë kohës, që nga viti 1999 e deri tash kanë dhënë kredi me interesa të larta deri në 25 për qind dhe si të tilla, kanë krijuar dhe grumbulluar fitime prej qindra miliona eurosh’.

“E këto profite i kanë grumbulluar në kundërshtim me ligjin, sepse ato si organizata nuk duhet të punojnë e grumbullojnë me vite profite, por janë toleruar”, ka shkruar Mustafa.

Megjithatë, nga përfaqësues të Institucioneve Mikrofinanciare dhe Bankës Qendrore të Kosovë (BQK) të gjitha këto kritika theksohen të paqëndrueshme.

Mentor Geci, drejtor i Departamentit për mbikëqyrje bankare në BQK, thotë për Radion Evropa e Lirë se Banka Qendrore e Kosovës i licencon, rregullon dhe mbikëqyrë institucionet mikrofinanciare të cilat, sipas tij, në të shumtën e rasteve operojnë si IMF- OJQ.

Sipas tij, përveç Ligjit për bankat, janë edhe rregulloret përkatëse që rregullojnë çdo aktivitet dhe çdo veprim të këtyre institucioneve.

“Sipas rregullores në fuqi, fitimi apo shpërndarja potenciale e fitimit të tyre është subjekti i afarimit të BQK-së. Deri më tani në shumicën e ratave çdo investim që mund të ketë ndodhur nga institucionet mikrofinanciare është kthyer te baza për mundësitë që të kreditojnë më shumë në të ardhmen. Nuk përfitojnë kundërligjshëm këto përfitojnë nga aktiviteti i tyre. Ata licencohen në BQK për aktivitetin e kredidhënies, kështu që çdo kredidhënie e ka konceptin e interesit. Pra, nuk është i kundërligjshëm është thjesht veprim i institucioneve për çfarë kanë marrë licencën prej Bankës Qendrore”, thekson ai

Në bazë të raportit të fundit të BQK-së, thotë Geci, në Kosovë nga 11 institucione që janë të licencuara si institucione mikrofinanciare, 8 prej tyre janë Organizata joqeveritare. Derisa vlera e aseteve është 174 milionë euro, prej tyre 130 janë vetëm të IMF - OJQ.

Në anën tjetër, Arsim Bruçaj, drejtor i Shoqatës së Institucioneve Mikrofinanciare në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet mikrofinanciare (IMF), sikurse të gjitha Organizatat Joqeveritare (OJQ) të tjera, nuk shpërndajnë profit.

Sipas tij, OJQ-IMF qëllim parësor e kanë mundësimin e dhënies së kredive për ato shtresa të popullatës që nuk arrijnë që këto shërbime t’i marrin nga bankat.

“OJQ-IMF janë sikurse të gjitha OJQ-të tjera nuk shpërndajnë profit. Kjo është shumë lehtë e verifikueshme në raportet e audituara të Bankës Qendrore të Kosovë. Rezultatet pozitive mbesin në OJQ dhe i shërbejnë vetëm dhe vetëm qëllimeve dhe misioneve të OJQ-IMF që kanë, e që është përfshirja financiare dhe zhvillimi ekonomik. Kjo është në pajtim të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës sepse pasuritë e të gjitha OJQ-ve, pra edhe të OJQ-IMF nuk mund të tjetërsohen”, thekson Bruçaj.

Të gjitha IMF-të, shton Bruçaj pa përjashtim, veprojnë me licencë të Bankës Qendrore dhe auditohen në baza mujore.

Institucionet mikrofinanciare, sqaron Bruçaj, marrin edhe vetë kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Fondi Evropian për Evropën Juglindore dhe mekanizma të tjerë financiarë dhe nga këto fonde mundësohet dhënia e kredive klientëve të tyre gjithandej Kosovës.

“IMF-të kryesisht japin kredi për bujqësi dhe biznese dhe për atë kategori që nuk arrijnë apo nuk mund të kualifikohen për kredi në banka. Pra,që në një farë forme janë të përjashtuar nga sistemi bankar. Normat e interesit në Institucionet Mikrofinanciare janë të ngjashme sikurse normat evropiane të kredive të shpejta me para të gatshme dhe pa shumë dokumentim”, thotë Bruçaj, duke shtuar se normat e kamatës në kreditë nga Institucionet Mikrofinanciare të Kosovës janë nga më të ulëtat në rajon.

Institucionet mikrofinanciare në Kosovë në vazhdimësi ishin kritikuar për norma të larta të interesit.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës, tregojnë se norma e interesit për kredi në institucionet mikrofinanciare që operojnë në Kosovë, është 21.7 për qind.

Sipas ligjeve në fuqi Institucioni Mikrofinanciar OJQ është institucion mikrofinanciar që është regjistruar në Ministrinë e Administratës Publike për qëllimet e lirimit nga taksat si dhe në BQK si organizatë joqeveritare që për mision të saj ka qëllimin bamirës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG