Ndërlidhjet

FMN, e shqetësuar me Ligjin për pagat, viti 2020 problematik


Fondi Monetar Ndërkombëtar
Fondi Monetar Ndërkombëtar

Ndarja e buxhetore për Ligjin për pagat, i cili është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 2 shkurt të këtiij viti, nga viti 2020 do të jetë pothuajse e pamundur të jetë në përputhje me kufizimet sipas rregullit, ka thënë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Ruud Vermeulen, drejtor i Zyrës së Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë. Ndër të tjera ai ka thënë se kjo bën ngushtimin e shpenzimeve për sektorët prioritar dhe do të pengojë rritjen dhe krijimin e vendeve të reja të punës, që nevojiten për të zvogëluar papunësinë e lartë në Kosovë dhe hendekun e gjerë të të ardhurave me vendet në rajon dhe BE, për rritjen e Bruto Produktin Vendor më 2018.

Radio Evropa e Lirë: Kosova planifikon që të shpenzojë 615 milionë euro për paga, pa përfshirë këtu edhe një shumë, të cilën Qeveria ende nuk e ka bërë publike. A do ta rrezikojë stabilitetin financiar Ligji i ri për pagat?

Ruud Vermeulen: Nuk do të shkoja aq larg sa të them se Kosova po përballet me një krizë të afërt si pasojë e këtij ligji. Por, kjo nuk do të thotë se nuk jemi thellësisht të shqetësuar lidhur me ndikimin që do të ketë mbi buxhetin dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë.

Ndikimi fiskal është i madh. Vetëm rritja e pagave bazë do të kushtojë rreth 80 milionë euro. Për vitin 2019, kostoja do të jetë e menaxhueshme, pasi që ligji nuk do të hyjë në fuqi deri në muajin nëntor. Buxheti i vitit 2019 parasheh një rritje të ndarjes buxhetore për paga prej rreth 26 milionë euro, që është pak nën hapësirën e lejuar sipas rregullit të ndarjes për pagat. Ky rregull, i cili është menduar të parandalojë rritjen e ndarjes së pagave të sektorit publik më shpejt sesa vet ekonomia (më saktësisht rritja e BPV-së) ka hyrë në fuqi vitin e kaluar. Ne nuk shohim ndonjë rrezik të menjëhershëm nga rregulli për ndarjen për paga në vitin 2019.

Megjithatë, në vitin 2020, do të jetë pothuajse e pamundur që ndarja buxhetore për paga të jetë në përputhje me kufizimet sipas rregullit. Kemi parë vlerësime që thonë se ndarja për paga do të arrijë në vlerë prej mbi 730 milionë euro vitin e ardhshëm. Kjo do të jetë afro 75 milionë euro më shumë sesa tavani i përcaktuar nga vlerësimet paraprake për rritjen e BPV-së më 2018.

Madje, edhe një vlerësim më konservator që supozon që më 2019-‘20 nuk do të ketë punësime të reja (në sektorin publik), sërish tregon se ndarja për paga do të jetë rreth 30 milionë euro më shumë sesa tavani i lejuar ligjor. Përveç nëse nuk mund të gjenden kursime tjera diku tjetër në ndarjen për pagat, për shembull duke reduktuar ndjeshëm mëditjet, rregulli i ndarjes buxhetore për paga nuk do të respektohet vitin e ardhshëm. Jo vetëm që do të ishte në kundërshtim me ligjin dhe do të cenonte kredibilitetin e politikave fiskale, por kjo edhe do të ngushtonte hapësirën për shpenzime – përfshirë edhe për punësime të reja – në sektorët prioritare si gjyqësori, shëndetësia, arsimi dhe infrastruktura. si dhe do të ndalonte aplikimin e primeve për sigurime shëndetësore.

Ç’është edhe më rëndësi, rritja e madhe e pagave në sektorin publik, pashmangshëm do të ushtrojë presion mbi pagat në sektorin privat, duke rritur koston e përgjithshme të punës dhe duke dobësuar konkurrueshmërinë në ekonomi. Së bashku me ngushtimin e shpenzimeve për sektorët prioritarë që i përmenda më lartë, kjo do të pengojë rritjen dhe krijimin e vendeve të reja të punës, që nevojiten për të zvogëluar papunësinë e lartë në Kosovë dhe hendekun e gjerë të të ardhurave me vendet në rajon dhe BE. Është e vështirë që të vlerësohet kjo kosto për ekonominë, por ajo mund të jetë edhe më e madhe se kostoja në buxhet, madje edhe mund ta tejkalojë atë. Thënë shkurt, ata që janë të papunë do ta paguajnë çmimin e kësaj reforme.

Radio Evropa e Lirë: A e keni këshilluar ju Qeverinë lidhur me këtë ligj dhe a janë marrë komentet tuaja parasysh?

Kosovo: Ruud Vermeulen
Kosovo: Ruud Vermeulen

Ruud Vermeulen: Mund t’ju kujtohet se ne publikisht kemi shprehur shqetësimet tona për koston veçse të madhe fiskale për versionin e ligjit që u miratua nga Qeveria në muajin shtator. Duke pasur këtë parasysh, si dhe dobësitë e tjera si rritja e mëditjeve diskrecionare dhe lejimin e pagesës shtesë (pagat mbi nivelin e paraparë me koeficientin e ri), ne i kemi këshilluar autoritetet që ta rihartojnë projektligjin për pagat, që kostoja të mbetet brenda kufirit të lejuar me rregullin e ndarjes për pagat dhe të jetë në përputhje me qëllimin e “pagesës së njëjtë për punën e njëjtë”.

Ndryshimet e plotësimet në projektligj kanë hequr dispozitat kalimtare që lejonin pagesën shtesë dhe arritën të kenë një mosbalancë më të vogël të rritjes së pagave, duke i ulur disa koeficientë të lartë dhe rritur disa të tjerë më të ulët.

Megjithatë, rritja e konsiderueshme e atypëratyshme e koeficienteve në sektorët si arsimi, policia dhe kujdesi shëndetësor që u miratua më 2 shkurt, nënkupton që kostoja tani është shumë më e madhe.

Radio Evropa e Lirë: Qeveria e Kosovës tha se përmes këtij ligji do të rriten pagat për rreth 70 mijë punëtorë në sektorin publik. A do ta dëmtojë kjo sektorin privat dhe konkurrueshmërinë?

Ruud Vermeulen: Përgjigja e shkurtër është po, por më lejoni ta shpjegoj pse. Rritja mesatare e pagës bazë në bazë të koeficienteve të reja është rreth 15 për qind. Kjo është një rritje e madhe, veçanërisht nëse kihet parasysh që inflacioni në Kosovë ka qenë në nivel të ulët dhe pagat në sektorin publik veçse ishin më të larta se ato në sektorin privat.

Zakonisht, do të duhej të ishte e kundërta, marrë parasysh sigurinë më të madhe të punës dhe produktivitetit më të ulët në sektorin publik. Rritja e pagave në sektorin publik çrregullon tregun e punës, duke e bërë më të vështirë që sektori privat të tërheqë dhe mbajë punëtorë të kualifikuar. Kështu, rritja e madhe e pagave në sektorin publik me shumë gjasë do të bëjë që pagat të rriten edhe në sektorin privat, por me këtë do të rritet edhe kosto e përgjithshme e punës. Që një shtet pa valutë të vetën, si rasti i Kosovës, të jetë konkurrent, është thelbësore që kostoja e punës të jetë në përputhje me produktivitetin.

Një ndikim tjetër që ka rritja e pagave në dobësimin e aftësisë konkurruese të Kosovës është zvogëlimi i shpenzimeve në infrastrukturë, shëndetësi dhe arsim, të cilat janë shumë të nevojshme për të mbushur boshllëqet e mëdha të kapitalit njerëzor dhe fizik dhe për ta bërë sektorin privat më konkurrues. Për të gjeneruar rritje më të lartë, më të qëndrueshme dhe më gjithëpërfshirëse, Kosova ka nevojë për një sektor privat që lulëzon. Pagat më të larta në sektorin publik nuk do të ndihmojnë që të arrihet një gjë e tillë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG