Ndërlidhjet

Merkel bën thirrje për "kreativitet" në bisedimet për Brexit


Kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, i bëri thirrje Britanisë dhe Bashkimit Evropian që të tregojnë "kreativitet" dhe "vullnet të mirë" në bisedimet e ardhshme për Brexit, apo daljen e Britanisë nga BE-ja.

"Ne duam të bëjmë gjithçka për të shmangur Brexit-in pa marrëveshje, sepse një gjë e tillë do t'i rriste pasiguritë", tha Merkel në një konferencë të përbashkët për media me homologun e Japonisë, Shinzo Abe, në Tokio.

Merkel tha se marrëveshja e divorcit midis Britanisë dhe BE-së është diskutuar me përpikëri dhe se ajo nuk do të rihapet.

Megjithatë, ajo tha se mospajtimet si ato rreth kufirit me Irlandën e Veriut mund të diskutohen në një të ashtuquajtur marrëveshje politike që do ta shoqëronte marrëveshjen për Brexit.

Ligjvënësit britanikë, në janar, e kanë kundërshtuar marrëveshjen që ka arritur kryeministrja britanike, Theresa May, me Bashkimin Evropian.

Mospajtimi kryesor ka të bëjë me kufirin midis Republikës së Irlandës, e cila është anëtare e BE-së, dhe Irlandës Veriore, e cila është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar.

Mbështetësit e Brexit-it thonë se me marrëveshjen e kryeministres May, Britania do të mbetej ngushtë e lidhur me rregullat doganore të BE-së.

Zyrtarë të BE-së kanë thënë se marrëveshja që tashmë është arritur, nuk mund të rinegociohet.

Britania duhet të largohet nga Bashkimi Evropian më 29 mars të këtij viti.

Vendimi pason një referendum të vitit 2016, në të cilin qytetarët britanikë kanë votuar pro Brexit-it.

Ekspertët kanë paralajmëruar se Brexit-i pa marrëveshje me BE-në do të shkaktonte recesion në Britani dhe do të ngadalësonte rritjen ekonomike në bllokun evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG