Ndërlidhjet

Veseli: Tarifa doganore do të mbetet


Kadri Veseli
Kadri Veseli

Tarifa doganore mbi mallrat e Serbisë “është vendosur për të mirën e Kosovës dhe ajo nuk guxon të kthehet kundër të mirës së Kosovës”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.

“E kemi vendosur tarifën 100 për qind mbi produktet dhe mallrat serbe për shkak se Serbia na e ka imponuar një masë të tillë dhe tarifa do të qëndrojë”, tha Veseli.

Ai i bëri këto komente gjatë vizitës në një shkollë fillore në Ferizaj.

Megjithatë, Veseli, duke aluduar në propozimin e tij për një pezullim të vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksën doganore për 120 ditë, tha se e propozimi është konkret, bazuar në kërkesën e Shteteve të Bashkuara.

Por, sipas tij, kjo do të ishte vetëm masë e përkohshme, ndërkohë që institucionet e Kosovës do të nisnin veprimet që të mos lejojnë më hyrjen e mallrave në Kosovë me mbishkrimin “Kosovë e Metohi”, si dhe pa i respektuar institucionet e Kosovës.

Veseli tha se në këtë drejtim është duke u punuar intensivisht dhe se “Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk guxojnë të kenë qëndrime të ndryshme përballë Serbisë”.

Qeveria e Kosovës, me 21 nëntor të vitit të kaluar, ka vendosur taksën doganore prej 100% mbi prodhimet e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Autoritetet e Serbisë kanë thënë se nuk do të vazhdojnë dialogun me Kosovën, në rast se taksa për produktet e Serbisë nuk hiqet nga Qeveria e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deri më tash ka mbetur këmbëngulës që kjo taksë të mos hiqet.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që ta pezullojnë këtë vendim, qoftë edhe përkohësisht, në mënyrë që të hapet rruga për vazhdimin e dialogut në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Lexoni edhe këtë: "Zemërimi" amerikan me tarifat

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG