Ndërlidhjet

VMRO-ja dëshiron ta “ndryshojë” Marrëveshjen e Prespës


Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Kreu i partisë opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski, thotë se do të bëjë gjithçka që është e mundur që t’u iket disa prej procedurave që dalin nga Marrëveshja për çështjen e emrit me Greqinë, e njohur si Marrëveshja e Prespës, duke theksuar se “asnjë proces në histori nuk është njëkahësh”.

Sipas Mickovskit, të gjitha proceset në histori “kanë qenë të kthyeshme”.

“Pasi ta marrim besimin e qytetarëve – dhe ne atë do ta marrim në zgjedhjet e parakohshme parlamentare vijuese, kuptohet po që se shumica parlamentare pranon të ketë zgjedhje – do t’i shihni hapat që do të jenë dhe do të shihni se cilat procese VMRO-DPMNE do t’i ndryshojë në të ardhmen”.

“Dhe, menjëherë tani, këtu mund t’ju jap përgjigjen edhe në pyetjen e dytë të mundshme – për shkak se jo fort moti edhe kjo m’u shtrua: a do të jem kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut? Edhe atëherë thash – ja, edhe tani do ta përsëris – se jam i gatshëm të jem kryeministër dhe për mua gjithnjë do të mbetet (kryeministër) i Republikës së Maqedonisë, pa e llogaritur këtë gabimin historik të cilin e bëri Qeveria e LSDM-së dhe Zoran Zaevi, për qëllime personale dhe karrieriste”, tha Mickovski në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

I pyetur se çka nënkupton me atë se “do të bëjmë gjithçka” dhe a do të thotë kjo se VMRO-ja nuk do ta respektojë Marrëveshjen e Prespës, Mickovski nuk dha një përgjigje konkrete.

“Ne deri pasnesër mund të luajmë kështu me pyetje: çka nënkuptoni pasi të ketë ndodhur kjo e ajo...Unë jua dhashë përgjigjen. Më parë duhet ta fitojmë besimin e qytetarëve, kurse pastaj do të jeni dëshmitarë të të gjithë hapave të cilat VMRO-DPMNE do t’i bëjë në procesin që pason. Dhe, këtë nuk e them sepse me të vërtetë e mendoj”, tha Mickovski.

Udhëheqësi i VMRO-së, insistimin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, e arsyeton me tentimin, siç shprehet ai, të pushtetit, që “t’i manipulojë” zgjedhjet presidenciale, të cilat është paraparë që të mbahen më vonë gjatë këtij viti.

“Insistojmë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, për shkak se (kryeministri) Zoran Zaev dëshiron që t’i vjedhë zgjedhjet presidenciale”, thotë Mickovski.

Ai shprehet i bindur se kandidati i partisë së tij do të dalë fitues në zgjedhjet presidenciale. Ndërkohë, i pyetur se a ka biseduar me partinë shqiptare në pushtet, Bashkimin Demokratik për Integrim, rreth idesë për kandidat konsensual për president, ose me ndonjë parti tjetër të shqiptarëve për mbështetje të ndërsjellë në zgjedhjet presidenciale, Mickovski tha se kandidati për president duhet të jetë një figurë përbashkuese.

“Qëndrimi ynë është që kandidati presidencial, përkatësisht presidenti i Republikës së Maqedonisë, duhet të jetë propozim që do të jetë përbashkues, ja, të them, të jetë ‘atë’ ose ‘mëmë’ për të gjithë qytetarët”.

“Nëse nisemi nga kjo logjikë, atëherë eja të bisedojmë edhe me serbët, të bisedojmë edhe me romët, të bisedojmë edhe me turqit, të bisedojmë edhe me boshnjakët...Përse? Ata janë qytetarë të rendit të dytë, të tretë, në këtë shtet? Të gjithë ne jemi qytetar në këtë shtet dhe pikërisht për këto shkaqe ne më së pari duhet t’i presim rezultatet, para se të polarizojmë për çfarëdo. Ne jemi shoqëri e ndarë, si asnjëherë gjerë më tani”.

“Të dy etnitë, përfshirë dhe politikat e Zoran Zaevit, e ndanë shoqërinë deri në atë masë, saqë Maqedonia kurrë më parë nuk është gjendur në një situatë të këtillë alarmante. Unë jam i vetëdijshëm që Zoran Zaevi nuk ka atu shtesë as për këto zgjedhje presidenciale, as për zgjedhje të parakohshme, apo të rregullta parlamentare. Ai tani e ka Maqedoninë në dorë dhe Maqedoninë e vë në tavolinë, si peng. Të mos mbetet se nuk e kemi thënë. Paralajmëruam edhe për Platformën e Tiranës, paralajmëruam edhe për këtë çka ndodhi me emri. Tani do të paralajmërojmë edhe për atë se çka ka ai si atu në këtë moment – e ajo është Maqedonia”, tha kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG