Ndërlidhjet

Trump: Bisedimet tregtare me Kinën "po shkojnë mirë"


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u shpreh optimist për negociatat që synojnë t'i japin fund një mosmarrëveshjeje tregtare me Kinën, e cila ka lëkundur ekonomitë e dy vendeve dhe tregjet botërore.

"Takimet po shkojnë mirë, me qëllim dhe frymë të mirë nga të dyja anët", shkroi Trump në Twitter, përpara se të niste dita e dytë e bisedimeve midis negociatorëve të SHBA-së dhe të Kinës në Uashington.

Në një postim tjetër në Twitter, Trump tha se "nuk do të bëhet asnjë marrëveshje përfundimtare" derisa ai ta takojë presidentin e Kinës, Xi Jinping.

SHBA, që nga vera e kaluar, ka goditur me tarifa mallrat kineze në vlerë prej miliarda dollarësh. Kina është kundërpërgjigjur me taksa të ngjashme.

Dy palët kanë shpallur "pauzë" 90-ditëshe në dhjetor. Ato kanë edhe 30 ditë kohë për të arritur ujdi.

Nëse bisedimet dështojnë, SHBA do t'i dyfishojë tarifat mbi disa mallra kineze, në vlerë prej 200 miliardë dollarësh, nisur nga 2 marsi.

Ekonomistët kanë paralajmëruar se një veprim i tillë do të çonte në lëkundje të mëdha të ekonomisë botërore.

Trump, për kohë të gjatë, e ka akuzuar Kinën për, siç është shprehur, praktika të padrejta tregtare që i kushtojnë SHBA-së me vende pune dhe që i dëmtojnë fitimet e korporatave.

Një komplikim i ri në marrëdhëniet SHBA-Kinë ka ndodhur këtë javë, kur Departamenti amerikan i Drejtësisë ka ngritur akuza kundër gjigantit kinez të teknologjisë, Huawei, për, siç është thënë, shkelje të sanksioneve kundër Iranit dhe vjedhje të sekreteve teknologjike të SHBA-së.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG