Ndërlidhjet

Gjykata Supreme “amniston” zyrtarët e dyshuar për vepra penale


Ilustrim
Ilustrim

Hetimet kundër zyrtarëve të pushtetit të kaluar, por edhe të tanishëm të dyshuar për vepra penale nuk mund të mbyllen apo të anulohen bazuar në mendimin e Gjykatës Supreme se Prokuroria Speciale për shkak të skadimit të mandatit, duhet të ndërpresë dhjetëra hetime, apo procese që ka nisur pas datës 30 qershor të vitit 2017. Kështu vlerësojnë nga Prokuroria e Rregullt, por edhe njohës të çështjeve juridike duke kundërshtuar vendimin e Supremes, por edhe duke mos përjashtuar mundësinë që hetimet të vazhdojnë nga Prokuroria e Rregullt.

Prokurori i Shtetit, Lubomir Jolevski, nuk e ka përjashtuar mundësinë që këto lëndë gjyqësore të kalojnë në kompetencë të tij, nëse kjo e drejtë i merret Prokurorisë Speciale, e cila hetimet i ka nisur nga dëshmitë që kanë dalë nga afera e përgjimeve.

Edhe ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, në një prononcim me shkrim ka shfaqur rezerva ndaj vendimit të Supremes, por pa dashur të komentojë më shumë për shkak të pozicionit të saj në Qeveri.

Kurse, ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Dane Iliev, thotë se kjo që ka ndodhur me këtë institucion, është skandal, sipas tij, meqë Supremja i ka ngatërruar kompetencat.

“Në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve për gjykatat, Supremja mund të vendosë vetëm për vendimet e instancave më të ulëta gjyqësore. Pra, Gjykata Supreme nuk është kompetente që të diskutojë apo të vendosë për padi private apo për nisma të individëve për të ndërtuar qëndrime juridike pasi të njëjtit këta persona, kanë mundësinë që këtë ta bëjnë para instancave më të ulëta gjyqësore. Në këtë rast, Gjykata Supreme vihet mbi punën e gjykatave e madje edhe mbi punën e ligjvënësit”, ka deklaruar Iliev.

Bashkim Selmani, profesor i së Drejtës Ndëshkimore, thotë se Prokuroria Speciale dhe Gjykatat nuk duhet të pengohen në kryerjen e detyrimeve lidhur me shpërdorimet e ish-zyrtarëve. Ai thotë se motoja e punës së Qeverisë aktuale ishte “drejtësi për të gjithë” dhe kjo, sipas tij, nuk mund të arrihet me vendime të tilla.

“Kjo, thjesht, është një amulli dhe një amnisti në heshtje. Në forma të ndryshme u dëshmua se edhe kjo qeveri, sikur edhe qeveritë e tjera që nga pavarësia e Maqedonisë, ia kanë shtrirë dorën njëra-tjetrës dhe kjo është e keqja e vetë besimit dhe e funksionimit ndaj shtetit të së drejtës”, thotë Selmani.

Njohës të çështjeve politike dhe juridike nuk e përjashtojnë mundësinë që e gjithë kjo të jetë e orkestruar me qëllim shpëtimin e politikanëve të pushtetit ndaj ndjekja penale.

Nga vendimi i Gjykatës Supreme që është marrë pas ankesës së parashtruar nga dy avokatë që mbrojnë të dyshuarit, përfitojnë shumë ish-zyrtarë, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili së bashku me ish-kryeministrin e arratisur, Nikolla Gruevski, dyshoheshin për dështimin e regjistrimit të popullsisë, ish- ministri i Shëndetësisë tani zëvendëskryeministër Bujar Osmani, ish-zyrtarja e VMRO-së, Silvana Boneva, ish-drejtori i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, si dhe të tjerë, përfshirë edhe afaristë të afërt me pushtetin e kaluar.

Mijallkov akuzohet edhe për vepra tjera, por ai është lëshuar edhe nga paraburgimi pasi kishte mundësuar që tetë deputet të VMRO-së opozitare të kalojnë të pavarur dhe të votojnë ndryshimet kushtetuese për zbatimin e marrëveshjes me Greqinë për emrin. Po për këtë çështje ishte miratuar edhe një amnisti duke i lënë të lirë shumë zyrtarë tjerë të qeverisë së kaluar të akuzuar për ngjarjen e dhunshme në Kuvend.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG